Dështon mbledhja
Opozita do ta rishikojë marrëdhënien e kushtëzuar, të mbajtur deri tani ndaj Parlamentit, në varësi të qëndrimit që mazhoranca do të mbajë në Kuvend ndaj dy kërkesave të saj: dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të mandateve të deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli dhe ngritjes së komisionit hetimor për marrëveshjen me kompaninë CEZ. Është ky kushti më i fundit i demokratë për angazhimin e tyre politik në jetën normale parlamentare, por në përgjithësi për reformën në drejtësi. “Kushte të opozitës nuk ka. Kushtetuta është i vetmi kusht që ne kemi. Këtu ligjet janë të vetmet kushte që ne kemi. Po ju ripërsëris që ikën nga një krim kushtetues dhe po kalojnë në një krim tjetër kushtetues. Vendimin mazhoranca e merr nesër pasi nesër, Parlamenti në seancë duhet të votojë dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandateve të dy deputetëve, pra papajtueshmërinë e mandateve të dy deputetëve të mazhorancës, dhe njëkohësisht duhet të votohet për ngritjen e komisionit hetimor të CEZ që është afera më e madhe korruptive e kësaj qeverie dhe që lidh direkt Edi Ramën me këtë akt korruptiv. Kjo është e vetmja arsye pse mazhoranca nuk pranon ta miratojë këtë komision dhe të kalojë në një krim tjetër kushtetues”, deklaroi dje nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar demokrat. Ndërkohë, mbledhja e djeshme e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, për diskutimin për mandatin e deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, do të përfundonte pa një marrëveshje mes palëve. Shkak janë bërë debatet dhe mos dakordësitë lidhur me mënyrën e paraqitjes në Gjykatën Kushtetuese të kërkesave për mandatin e dy deputetëve. Në përfundim të mbledhjes, deputeti demokrat, Arben Ristani, tha se mazhoranca po kërkon të gjejë makinacioneve për të mbrojtur dy deputetët e saj. “Duhet të shkojë po e njëjta në Gjykatën Kushtetuese, shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të PD, të cilët kërkojnë që këtyre dy deputetëve për shkak të abuzimit me mandatin në përfitimin e fondeve publike, t’u mbarojë mandati. Megjithatë, është një diskutim që nuk u mbyll me një dakordësi, sepse vendimi i mazhorancës është goxha evaziv. Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të shkojnë kërkesat e zonjës Leskaj dhe e zotit Suli. Në Gjykatën Kushtetuese duhet të shkojë vendimi i Parlamentit, së bashku me kërkesën e deputetëve të PD, të cilët kërkojnë mbarimin e mandatit. Për të vendosur në raport me sjelljen e PD, në seancën parlamentare do të vendosin forumet”, tha Ristani. Deputetët socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, janë akuzuar nga opozita se kanë përfituar fonde publike në kushtet e konfliktit të interesit, ndërsa pak javë më parë Kuvendi dërgoi në Kushtetuese mandatin e deputetit tjetër socialist, Koço Kokëdhima, i cili po ashtu akuzohej nga opozita se ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, së bashku me miratimin e amendamenteve për ligjin e funksionimit të komisioneve hetimore dhe atyre në ligjin për dekriminalizimin, janë tri kushtet e vendosura nga Partia Demokratike për rivendosjen e normalitetit në marrëdhënien e saj me Parlamentin.