Prokuroria
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka nisur procedimin penal për kallëzimin e depozituar aty nga Vangjel Ndreka, i cili akuzon për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shpërdorim detyre prefektin Robert Bitri dhe pretendentin për kryetar të Këshillit të Qarkut të Fierit, Artur Shehun. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime të akuzës, të cilat sqaruan se tri ditë më parë është regjistruar procedimi penal për këtë kallëzim, për veprat penale të falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës. Nga verifikimet paraprake të materialeve denoncuese të depozituara nga Ndreka, janë konstatuar elemente të veprës penale. Ndërkaq, mësohet se nuk ka nisur ende procedimi penal ndaj ndonjë personi konkret, pasi hetimi është ende në fazën e verifikimeve të dokumentacionit. Pritet që në ditët në vazhdim, prokuroria t’i kërkojë zyrtarisht prefekturës që të vërë në dispozicion dokumentacionin zyrtar, që ka të bëjë me pretendimin e të zgjedhurit si kryetar i Këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreka. Ky i fundit pretendon në kallëzimin e tij, se prefekti Robert Bitri, në bashkëpunim me z. Artur Shehu dhe persona të tjerë, kanë falsifikuar firmat që gjenden në listë-prezencën e mbledhjes së organizuar nga të djathtët më datë 24 prill 2012 në ambientet e hotel “Fieri”. Ndreka pretendon se disa prej personave që u janë vendosur firmat në listë-prezencën e mbajtur në mbledhjen e grupimit “Aleanca për Qytetarin”, kanë marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga të majtët të drejtuar nga ai vetë, që u zhvillua në ambientet e Bashkisë së Fierit. Ndërkaq, Ndreka ka deklaruar publikisht se në vend të një këshilltari të grupimit të të djathtëve që ndodhej në Greqi, ka marrë pjesë një person që nuk ka asnjë funksion apo lidhje me këshillin e qarkut. Pretendimeve të Ndrekës u është bashkangjitur edhe denoncimi publik me pamje dhe zë i këtyre fakteve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, videoja e të cilave është kërkuar nga prokuroria për t’u administruar në cilësinë e provës materiale. Në pamjet e këtij emisioni vërehet se në vend të këshilltarit të djathtë Eduard Dogani, prezantohet një punonjës i Komunës së Strumit. Dashnor Agaçe, punonjës i Inspektoratit Ndërtimor të Komunës Strum, ka pranuar me gojën e tij se është paraqitur në mbledhjen e datës 24 prill 2012 si anëtar i Këshillit të Qarkut Fier, duke u prezantuar si Eduart Dogani, i cili ndodhej në Greqi. Gjithashtu, dy këshilltarë të tjerë, të cilët janë filmuar që kanë marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga z. Vangjel Ndreka, rezultojnë që të kenë firmosur në listën e këshilltarëve të palës tjetër. Bëhet fjalë për Aulent Tolin, i cili nuk ka qenë prezent në mbledhjen e të djathtëve, por ka emrin në procesverbal. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Veiz Dervishin. Të dy këta këshilltarë kanë firmosur nga një deklaratë noteriale, me anë të së cilës mohojnë prezencën e tyre në mbledhjen e organizuar nga z. Artur Shehu.
Edmond Hoxhaj
SOM
Pasi ka shqyrtuar padinë e Ndrekës, prokuroria ka konstatuar elemente të veprës penale
Akuzat
Vangjel Ndreka
I zgjedhuri i PS-së në krye të këshillit të qarkut paditi rivalin e tij dhe prefektin për falsifikim dhe shpërdorim të detyrës
Robert Bitri
Prefekti akuzohet nga Ndreka për shpërdorim detyre, pasi ka njohur vendime të paligjshme në lidhje me këshillin e qarkut
Artur Shehu
I zgjedhuri i PD-së në krye të këshillit qarkut akuzohet se ka falsifikuar procesverbalet e mbledhjeve të këtij këshilli