Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar transparencë nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi në Durrës drejt burgut të Fierit.

Gjatë mbledhjes së sotme, këshilltari i PS-së, Halit Valteri, prezantoi një rezolutë përmes së cilës shprehu shqetësimin për lëvizjen e papritur të Veliajt, si dhe për kushtet në të cilat ai raportohet se po mbahet në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Valteri theksoi se kryetari i Bashkisë së Tiranës gëzon prezumimin e pafajësisë dhe duhet të trajtohet në përputhje me të drejtat që i garanton ligji. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për gjendjen shëndetësore të Veliajt, duke përmendur një dëmtim në këmbë dhe vizitat e tij të mëparshme në spital.

“Me sa di unë, z. Veliaj ka pasur edhe një aksident dhe e ka këmbën në allçi, ka qenë disa herë në vizita në spital, kështu që nuk e di çfarë e ka pasur me kaq ngut për ta marrë e degdisur në Fier”, u shpreh Valteri.

Në rezolutën e paraqitur, këshilltarët socialistë i kërkojnë Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve të bëjnë të ditura arsyet ligjore dhe faktike të transferimit, të garantojnë kushte qëndrimi në përputhje me standardet europiane dhe të vlerësojnë nevojat shëndetësore të kryebashkiakut.

Një tjetër kërkesë lidhet me respektimin e së drejtës së Veliajt për të komunikuar me familjarët dhe avokatët e tij, si dhe verifikimin e çdo kufizimi që mund të pengojë ushtrimin e të drejtave ligjore.

Këshilltarët i janë drejtuar gjithashtu Avokatit të Popullit, duke kërkuar që gjetjet dhe rekomandimet e inspektimit të kryer në burgun e Fierit të bëhen publike, brenda kufijve që lejon ligji.

Në dokument, socialistët nënvizojnë se kërkesat e tyre nuk synojnë krijimin e privilegjeve për Veliajn, por respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave që i takojnë çdo personi të paraburgosur. Ata shprehin gjithashtu shqetësimin se situata e krijuar mund të ndikojë në ushtrimin e kompetencave dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës.