Florian Pullazi: Kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha më tha se do të më vriste
Lorina Mixha
Ka plot dy javë që merret me hallet e komunitetit rom, të cilët kanë mbetur pa punë. Është anëtar opozitar i këshillit bashkiak dhe aktualisht njihet si përfaqësuesi i komunitetit rom të punësuar në vendgrumbullimet e plehrave. Për shkak të pozicionit si këshilltar bashkiak, dhe ndihmës që i është kërkuar, Florian Pullazi ka marrë përsipër organizimin e protestave të romëve, të cilët kanë mbetur pa punë.
Për shkak të asistencës që u ka dhënë romëve dhe ballkano-egjiptianëve për të kërkuar të drejtat e tyre nga Bashkia Tiranë, është kërcënuar me vdekje nga kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha.
“Jam kërcënuar nga kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha, për shkak të ndihmës që u kam dhënë romëve. I gjendur në terren, në zonën e shinave të trenit, e njohur si njëri prej vendgrumbullimeve të kanoçeve, jam intimiduar nga Hoxha. Nuk kam bërë denoncim në polici, për shkak të mungesës së dëshmitarëve. Denoncimin tim dhe sqarimet e të gjitha detajeve, si qytetar, por edhe si këshilltar bashkiak, do t’i bëj publike ditën e mërkurë në këshillin bashkiak”, sqaroi 33-vjeçari Florian Pullazi. Sipas tij, Florenc Hoxha e ka kërcënuar duke i thënë: “Do të vras, do të të fus një plumb ballit”. Kreu aktual i policisë bashkiake, ish-drejtor i Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, aktualisht ndodhet në proces gjyqësor me ish-punonjëset e Drejtorisë së Taksave, në Bashkinë e Tiranës, Anila Çobani, dhe Etleva Duro, për shkak të ushtrimit të dhunës në ambientin e punës. Të dyja ish-punonjëset u kanë vendosur në dispozicion prokurorisë një video-regjistrim me zë dhe figurë nga skena e dhunës, brenda godinës së Drejtorisë së Tatimeve. “Lidhur me kërcënimin që më është bërë nga kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha, si këshilltar bashkiak, por edhe si qytetar i thjeshtë, kam kërkuar zyrtarisht një reagim nga kreu i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, por deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ana e tij”, sqaron Pullazi.
Sipas anëtarit të këshillit bashkiak, Florian Pullazi, çështja e romëve është më e rëndë sesa duket. Mbi 30 mijë të papunë, të paarsimuar dhe kryefamiljarë, mund të rrezikojnë të bëhen kontingjent i krimit, në rast se politikat sociale nuk e ndihmojnë këtë komunitet dhe nuk u japin asistencën e nevojshme.
Prej më shumë se 10 ditësh, romët nga i gjithë vendi kanë protestuar para bashkisë së kryeqytetit. Të tjerë në shkurt të këtij viti kanë protestuar në vendgrumbullimin e Sharrës. Ata ishin të parët që iu pezullua puna. Aktiviteti i mbledhjes së kanoçeve, qelqit apo shisheve, duke rrëmuar në plehra, me të cilën romët dhe ballkano-egjiptianët fitojnë bukën e gojës, aktualisht është pezulluar nga policia bashkiake. Madje atyre u janë sekuestruar nga inspektorët e policisë bashkiake edhe karrocat, mjetet me të cilat bëhet transporti. Përfaqësues të komunitetit kanë kërkuar asistencë ligjore tek avokati i qytetit, Ervin Salianji, drejtori në Bashkinë e Tiranës. Por, sipas përfaqësuesve të shoqatave rome, pak ditë më parë në qendrën TEN, Salianji u ka kërkuar romëve të ndërpresin protestat, pasi bashkia do të bëjë të mundur brenda pak kohëve punësimin e tyre.
Të papunë, pa bukë, por edhe pa arsim, në një kohë kur nuk dihet sesi do t’u vejë halli, romët janë të vendosur: do të vijojnë protestat para Bashkisë Tiranë.