Kirurgu Ermal Pasha ka mbajtur sot një fjalim para Kryeministrisë, ku i është drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ka komentuar protestën që po zhvillohet në kryeqytet.

Ai u shpreh se, sipas tij, protesta nuk duhet të neglizhohet dhe se të rinjtë që ndodhen në shesh nuk duhet të nënvlerësohen.

“Këtu nuk ka sufllaqe për djem e vajza që e kanë syrin pushkë e gjakun barut”, u shpreh Pasha, duke shtuar se këshilltarët e kryeministrit duhet t’i përcjellin një pasqyrë reale të situatës.

Ai theksoi gjithashtu se, sipas tij, “kasta politike duhet të largohet” dhe se vendi duhet t’i lihet brezit të ri.

“Kryeministër, po të dalin filiza, po qajnë edhe ata që janë në djep… Veri gishtin kokës dhe lërja këtë vend rinisë”, deklaroi ai para protestuesve të mbledhur.

Fjalimi:

“Kryeministër po të dalin filiza, po qajnë dhe ata që janë në djep.

Ka disa ditë që ti nuk i konsideron, por ata pas teje duhet të të thonë se këtu ska sufllaqe për djem e vajza që e kanë syrin pushkë e gjakun barut.

Jemi nipër të Gjergj Kastriotit, Rrapo Hekalit dhe Gjergj Arianitit nuk i përçan dot.

Veri gishtin kokës dhe lërjani këtë vend rinisë.

Nuk duam më!

Ne këtu na bën bashkë një mision dhe nuk do të shkulemi pa plotësuar të gjitha kërkesat.

Fëmijët që ti nëpërkëmb janë këtu sepse ata s’kanë frikë, kthjelltësia e tyre është e kristaltë dhe mendja e tyre e ndritur.

Të bëhemi bashkë dhe të mos kemi ndasi, e ardhmja nuk vjen pa mund”.