
Duke sjellë në vëmendje deklaratën e përbashkët të Sekretarit Blinken dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell pas publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë, Ambasadorja Yuri Kim kërkon hapjen pa vonesa të negociatave për Shqipërinë.
Sipas ambasadores, SHBA dhe BE janë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së dhe se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të nisin pa vonesë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE pajtohen që rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket BE -së dhe negociatat e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesë. Pranimi në BE, një përparësi e deklaruar për të gjithë Ballkanin, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe avancimin e sundimit të ligjit”, tha Kim.
Qeveria shqiptare është optimiste se tryeza e parë ndërqeveritare me BE do të mbahet brenda këtij viti.