Partia Komuniste zhvillon Kongresin me udhëheqës të rinj në një fazë të re


Partia Komuniste e Kinës hapi dje kongresin e saj me një fjalim të Presidentit Hu Jintao, Kongres që vlerësohet si shumë i rëndësishëm nga media ndërkombëtare, pasi ndodh një herë në dhjetë vjet dhe do të sjellë transferimin e pushtetit te një gjeneratë e re udhëheqësish.


Presidenti Hu foli në fjalimin e hapjes kundër korrupsionit dhe para 2 mijë delegatëve deklaroi se në rast se dështohet në luftën kundër korrupsionit, ky problem “mund të bëhet fatal për partinë”. Sipas tij, Kina përballet me mundësi dhe sfida të jashtëzakonshme dhe se kombi “duhet të synojë për më shumë e të punojë më fort.”


Gjatë ditëve të ardhshme do të prezantohen publikisht edhe udhëheqësit e ardhshëm të shtetit kinez, ndërsa një ligj i ri do t’i nxjerrë automatikisht në pension udhëheqësit mbi 68 vjeç, gjë që do të shmangë sundimin e përjetshëm nga një kryetar.


Por ndërsa kongresi u hap me fanfara të mëdha, grupimet e të drejtave të njeriut njoftuan se shumë disidentë janë vendosur nën arrest shtëpiak dhe se forcat policore kanë vënë kryeqytetin nën kontroll të rreptë. Hu u tha delegatëve në Pallatin e Kongreseve se Kina duhet të përshtatet me ambientin sfidues vendës dhe ndërkombëtar.


“Ne duhet të synojmë për më lart e të punojmë më fort për të vijuar të zhvillohemi në mënyrë shkencore, të promovojmë harmoninë shoqërore dhe të përmirësojmë jetët e njerëzve”, tha ai. Zhvillimi i Kinës duhet të bëhet në mënyrë të balancuar dhe të qëndrueshme, tha ai dhe “sfida e madhe” e korrupsionit duhet të trajtohet me kujdes.


“Nëse ne dështojmë [me korrupsionin] atëherë problemi mund të bëhet fatal për partinë dhe mund të sjellë edhe rënien e partisë dhe të shtetit”, tha ai. Sipas tij, çdokush që thyen ligjin duhet të përballet me drejtësinë, “pavarësisht nëse janë në pushtet apo në pozicione zyrtare”, shtoi ai. Paralajmërimi për rreziqet e korrupsionit u dha në fakt edhe dhjetë vjet më parë, kur partisë iu dha se rrezikonte të “ecte drejt vetëshkatërrimit” nga ky problem.


Muajt para Kongresit janë karakterizuar nga tronditje të mëdha në kryesinë e partisë, ku njëri nga udhëheqësit, Bo Xialai, u vu nën akuzë ndërkohë që shihej si një kandidat i mundshëm për kryetar. Bashkëshortja e tij sakaq është dënuar për vrasjen e një biznesmeni britanik.


Fjalët kyçe të fjalimit të presidentit janë të mirënjohura për botën. Ai foli për “zhvillim paqësor”, “krijimin e një Kine të bukur” dhe “ecje me bindje në shtegun e socializmit me karakteristikat kineze”.


Ai theksoi nevojën për të pasur stabilitet dhe siguri në shoqëri, për të mbështetur ushtarakët dhe për të ushqyer marrëdhënie të mira me Tajvanin. Trashëgimia e tij pritet të jetë ajo e një udhëheqësi të vetëpërmbajtur, me udhëheqësi kolektive në një kohë që Kina përjetoi ndryshime të thella dhe çorientuese. Ndërkohë, nëpër Kinë, skandalet për korrupsion kanë krijuar zemërim publik dhe ka pasur shumë protesta masive kundër grabitjes së tokave dhe problemeve mjedisore.


Në internet, mijëra njerëz bënë thirrje për masa më të forta kundër korrupsionit. Kina ka përjetuar një bum ekonomik gjatë dekadës së fundit, por kjo gjë ka sjellë edhe rritje të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve dhe ka ekspozuar problemin e madh të popullatës në plakje.


Gjatë kongresit raportohet se është bllokuar një pjesë e konsiderueshme e qytetit, shitësit e rrugës janë ndaluar dhe “Amnesty International” thotë se rreth 130 disidentë politikë janë vendosur në mënyrë të paligjshme në arrest shtëpiak për të shmangur protesta të mundshme tashmë që vëmendja e medias botërore është përqendruar te Kongresi.


Partia Komuniste e Kinës udhëhiqet nga një trupë kolegjiale prej 9 anëtarësh, si dhe nga byroja politike që ka 24 anëtarë. Pas kësaj vjen Komiteti Qendror me 204 anëtarë dhe 167 kandidatë për anëtarësim. Kongresi i partisë ka rreth 2200 delegatë.