Disa shtete i kërcënon, të tjerat i josh me ndihma ekonomike, raporton “Reuters”


Kur Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe disa dhjetëra udhëheqës arritën në Kamboxhia për një samit rajonal javën e kaluar, vetëm një prej tyre u prit me pankarta para sallës së takimit.


“Mirëserdhe Kryeministër Ven Jiabao!” shkruante një pankartë. “Jetë të gjatë Republikës Popullore të Kinës!” shkruante një tjetër. Kur udhëheqësit u larguan, pankartat jeshile dhe të bardha sërish vareshin para Pallatit të Popullit në Phnom Pehn, për të kujtuar gjithmonë ndikimin e fuqishëm dhe në rritje të Kinës që po përdor para për të fituar miq dhe po përdor fuqi ushtarake për të frustruar fqinjët që kanë pretendime territoriale.


“Disa shtete shumë lehtë joshen nga paratë. Nëse shohin kesh, heqin lehtë dorë nga parimet”, thotë një diplomat aziatik në Samitin e Azisë Lindore, ku morën pjesë krerët e dhjetë shteteve të rajonit, si dhe krerët e SHBA-së, Kinës, Japonisë e kombeve të tjera të Paqësorit.


“Kina ka kohë që po shfaq peshën e saj përreth, duke blerë besnikërinë e disa shteteve aziatike”, shton ai.


Shembulli më i mirë për këtë është Kamboxhia, Kryeministri i së cilës Hun Sen, ndihmoi Kinën të arrijë një seri fitoresh diplomatike gjatë samitit. Kina pengoi një debat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale në Detin e Jugut të Kinës, shpartalloi përpjekjet e kombeve të Azisë Juglindore për të filluar bisedime formale mbi çështjen dhe shmangu çdo kritikë të mundshme nga Obama mbi ambiciet e saj territoriale. Komentatorët e shpallën Kinën një fitimtare të qartë të samitit.


Kina ka derdhur investime dhe kredi në Kamboxhia gjatë viteve të fundit, duke u bërë partneri më i rëndësishëm tregtar edhe kredidhënësi më i madh dypalësh. Kamboxhia i ka sakaq 4.7 miliardë dollarë borxhe Kinës, sa një e treta e PBB-së së vet. Çmimi për këtë bujari u bë i qartë këtë vit, thonë analistët, kur Kamboxhia përdori fuqinë e vet si organizatore e samitit për të kufizuar debatin mbi çështje që Kina nuk dëshiron të debatojë, gjë që zemëroi aleaten amerikane në rajon, Filipinet. Organizata e vendeve të Azisë dhe Paqësorit, ASEAN, është krijuar 45 vjet më parë, por marrëdhëniet mes vendeve anëtare kanë filluar të përkeqësohen ndjeshëm gjatë kohëve të fundit. Edhe vendet e tjera të gadishullit të Indokinës si Laosi dhe Majmari, po futen me shpejtësi në orbitën ekonomike kineze përmes shumëfishimit të tregtisë dhe investimeve. Është bërë e zakonshme për zyrtarët kinezë që vizitojnë këto vende së bashku me dhurata të mëdha. Kësaj here, Kina i dha Kamboxhias një paketë investimi për ndërtimin e një fabrike çimentoje me vlerë 100 milionë dollarë. Kina ka financuar shumë projekte infrastrukturore në këto shtete dhe po nënshkruan marrëveshje të shumta tregtare. Pas Kamboxhias, Kryeministri kinez vizitoi Tajlandën, ku nënshkroi një marrëveshje për të blerë oriz. Tajlanda konsiderohet një aleat i ngushtë i SHBA-së, por qeveria vendase ka hyrë në një telash kur vendosi t’u blejë fermerëve më shumë oriz se sa nevojitej përkundrejt një çmimi të konsiderueshëm, gjë që ka krijuar një stok të stërmadh prej 14 milionë tonësh miell orizi.


Dhe për fqinjët që nuk kanë nevojë për para, duket se Kina po përgatit forcën e vet ushtarake. Në takimin e fundit të Partisë Komuniste, ku një seri udhëheqësish të rinj morën postet e larta, theksi u vu te fuqizimi i forcave detare të Kinës, mbrojtja e interesave detare dhe nevojës për të “fituar një luftë lokale”.


“Ne duhet të bëjmë një planifikim aktiv për përdorimin e forcave ushtarake në kohë paqeje, si dhe të zgjerojmë dhe intensifikojmë përgatitjen ushtarake, të forcojmë kapacitetin për të kryer një seri të gjerë detyrash ushtarake, më e rëndësishmja nga të gjitha është të jemi në gjendje të fitojmë një luftë lokale në epokën e informacionit”, u tha në Kongresin e Partisë Komuniste.


Kina zyrtarisht thotë se nuk po përpiqet të bëhet një fuqi detare ofensive, por dëshiron gjithsesi të sigurojë importet energjetike dhe të nxisë zhvillimin e burimeve natyrore detare. Por Pekini është gjithashtu i shqetësuar nga fakti që po rrethohet nga fuqia detare amerikane, e cila po përqendrohet në Paqësor.