Zhvillimi


Kryeministri i Kinës, Li Keqiang, njoftoi se vendi i tij do të shtojë ndihmat për zhvillim për kontinentin afrikan me një paketë të re 12 miliardë dollarëshe, si dhe premtoi se do të japë teknologji të avancuar që kontinenti të zhvillojë trena të shpejtësisë së lartë.


Li premtoi financimet shtesë në një fjalim në Organizatën e Bashkimit Afrikan në Adis Abeba, kryeqyteti i Etiopisë. Li “përshkroi një ëndërr ku të gjitha kryeqytetet e Afrikës janë të lidhura me trena të shpejtësisë së lartë, në mënyrë që të fuqizohet komunikimi dhe zhvillimi pan-afrikan”, – raportohet nga media shtetërore e Kinës.


Kina ofroi gjithashtu 10 milionë dollarë ndihma për mbrojtjen e jetës së egër, pasi Li tha se ndihej përgjegjës për faktin që uria e Kinës për fildish dhe brirë rinoçeronti i ka shtyrë disa specie në rrugën drejt zhdukjes.


Kina është bërë një kredidhënës i fuqishëm dypalësh për Afrikën gjatë viteve të fundit me volum kredish për zhvillim prej dhjetëra miliardë dollarësh. Kina është gjithashtu një nga blerësit më të mëdhenj të burimeve të pafundme natyrore të kontinentit.