Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për qytetarët, bëri të ditur se në foltoren e vitit 2022 kishte pasur një rrugë tjetër për të krijuar një forcë të re politike, por nuk e zgjodhi atë, pasi sipas tij, nuk mund të pranohej që PD t’i dorëzohej armiqve të saj.

Berisha kujtoi edhe periudhën kur qëndroi i arrestuar në shtëpi për 333 ditë, duke theksuar se kjo ishte një kohë e çmuar dhe se gjatë saj kishte një projekt që do ta zbatojë. Ai shtoi se bashkimi brenda PD ishte një përgjigje ndaj përpjekjeve për “zhdukjen e PD-së” nga kryeministri Edi Rama dhe ndihmësit e tij.

“Rama, me ndihmën e Sorosit, u përpoq të kontrollonte PD me çdo kusht. Ajo betejë nuk ishte e thjeshtë; ishte një betejë për ekzistencën e partisë. Përpjekjet për bashkim ishin të duhura dhe kishin një çmim, por nuk mund të pranoj që PD të transformohej në një parti jashtë idealeve të demokratëve,” tha Berisha.

Ai theksoi se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë ruajtja e identitetit dhe vlerave të Partisë Demokratike, duke i dhënë kështu një përgjigje qytetarëve për rrugën që ka ndjekur brenda partisë.