Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për ekzekutimin e Niko Gavanozit, i njohur me nofkën “Papagalli”. 48-vjeçari grek, i arrestuar nën akuzën e bashkëpunimit në vrasje, ka mohuar përpara hetuesve se kishte dijeni për planin kriminal, duke pretenduar se ishte përfshirë në ngjarje për shkak të një borxhi financiar dhe frikës nga njëri prej të dyshuarve.
Sipas dëshmisë së publikuar nga mediat greke, i arrestuari i detyrohej 2.500 euro njërit prej personave të dyshuar për atentatin. Ky i fundit e kishte ndihmuar më parë të rikuperonte një shumë parash, ndërsa në këmbim 48-vjeçari kishte pranuar t’i kryente një shërbim.
Ai pretendon se kërkesa fillestare kishte të bënte vetëm me riparimin e një motoçiklete dhe se nuk kishte asnjë informacion mbi planin për eliminimin e Gavanozit.
“Kur më kërkoi të rregulloja motoçikletën, mendova se po shlyeja detyrimin që kisha ndaj tij”, ka deklaruar 48-vjeçari.
Në dëshminë e tij, i arrestuari ka pranuar se kishte ndihmuar personat e dyshuar me transportin e tyre, por ka këmbëngulur se në asnjë moment nuk ishte në dijeni se veprimet e tij lidheshin me një vrasje.
Sipas tij, marrëdhënia me personin që dyshohet se organizoi atentatin ishte kryesisht profesionale. Megjithatë, ai ka pranuar se ndihej i frikësuar prej tij dhe se nuk guxonte t’i refuzonte kërkesat, për shkak të pasojave që mund të kishte.
“Nuk ishte lloji i personit kundër të cilit shkon. Kisha frikë t’i thoja jo. Kisha frikë se mos zemërohej, më bërtiste ose më godiste”, ka rrëfyer ai përpara hetuesve.
48-vjeçari ka pranuar gjithashtu se ishte në dijeni të faktit që personi në fjalë merrej me mbledhjen e borxheve dhe se, në raste të caktuara, përdorte edhe dhunën për të detyruar debitorët të shlyenin detyrimet financiare.
Pavarësisht kësaj, ai ka këmbëngulur se nuk e kishte menduar kurrë se mund të përfshihej në një ngjarje kriminale të përmasave të tilla, duke mohuar të ketë qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e “Papagallit”.
