Një grabitje e dyshuar në një banesë në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos në Itali, përfundoi me vdekjen e një 36-vjeçari shqiptar. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 20 shtator.

Në qendër të hetimit është 35-vjeçari Roberto Mollo, me profesion shofer kamioni, i cili deklaroi se kishte qëlluar me armë zjarri pasi kishte konstatuar se disa persona po përpiqeshin të hynin në banesën ku jetonte.

Menjëherë pas ngjarjes, Mollo telefonoi numrin e emergjencës 112.

“Kam pasur hajdutë në shtëpi, unë u mbrojta… njëri ka vdekur”, mësohet të ketë thënë ai në telefonatën e publikuar nga televizioni italian “Tg1”.

Gjatë komunikimit me operatorin, 35-vjeçari ka treguar se ishte i frikësuar dhe se personat e dyshuar për grabitjen po lëviznin rreth banesës.

Më pas, në telefonatë ndërhynë karabinierët. Mollo u tha atyre se ishte i armatosur dhe se kishte reaguar pasi ishte ndjerë i kërcënuar.

“Unë jam i armatosur, u mbrojta. Tani është një person në tokë, nuk e di nëse ka vdekur”, deklaroi ai.

Kur u pyet nëse kishte qëlluar me armë, 35-vjeçari u përgjigj: “Po, i qëllova”.

Sipas hetimeve paraprake, Mollo ka qëlluar gjithsej 13 herë. Një prej plumbave ka goditur 36-vjeçarin Gjovalin Lasri, i cili ndërroi jetë.

Lasri u gjet pranë daljes së oborrit të banesës. Sipas autoriteteve, ai kishte veshur kapuç dhe doreza, ndërsa mbante edhe një elektrik dore. Në xhepin e tij u gjet një kaçavidë, si dhe rreth 2 mijë euro.

Hetuesit po verifikojnë nëse shuma e parave mund të ketë lidhje me vjedhje të tjera të kryera më herët.

Dyshimet e autoriteteve janë se Lasri mund të ketë qenë pjesë e një grupi grabitësish që lëvizin nga një zonë në tjetrën dhe kryejnë disa vjedhje brenda së njëjtës natë.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar saktësisht se si ndodhi përplasja dhe për të identifikuar personat e tjerë që dyshohet se ishin pjesë e grupit.