Këshilli Klerikal Laik lëshon një deklaratë edhe për të dhënat e kombësisë


Ortodoksët shqiptarë kanë reaguar më në fund zyrtarisht kundër rezultateve të censusit të sapopublikuar nga Instituti i Statistikave. Me anë të një deklarate të firmosur nga Këshilli Kishtar Kleriko-Laik i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, bëhet e ditur se shifrat e dhëna mbi ortodoksët janë një “gënjeshtër”. Në deklaratën e publikuar dje, pas mbledhjes së organit ku bëjnë pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, si dhe priftërinj dhe laikë, përfaqësues të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive, theksohet: “Të dhënat e fundit, të shpallura zyrtarisht nga INSTAT-i mbi përkatësinë fetare të popullsisë, në censusin e fundit të vitit 2011, shpallin se të krishterët ortodoksë në Shqipëri janë 6,75%. Padyshim bëhet fjalë për një gabim statistikor fare të qartë ose më saktë për një gënjeshtër. E tërë metodologjia që u ndoq për regjistrimin e përkatësisë fetare nuk iu përgjigj aspak metodës elementare objektive që ndiqet në vendet europiane. Për rrjedhojë, një gjë e tillë fyen jo vetëm të krishterët ortodoksë, të cilët që nga fillimi i shtetit shqiptar janë komuniteti më i madh i krishterë në numër, por edhe të gjithë të krishterët, të cilëve iu zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme madhësia nga 31% në 17%. Si përfundim, ky veprim errëson pamjen e përgjithshme të komuniteteve fetare në Shqipëri”. Duke krahasuar dy regjistrimet bërë në vitin 1927 dhe 1942, theksohet se ortodoksët kanë qenë 20%, ndërkaq, duke folur për një analizë të bërë nga vetë Kisha Ortodokse Shqiptare, theksohet se numri i besimtarëve të krishterë ortodoksë që ata besojnë se janë në Shqipëri kap shifrën e 24%. Më pas, në deklaratën e saj, Këshilli Klerikal-Laik i futet edhe analizës së regjistrimit për kombësinë, ku thekson se shumica e minoritetit grek, ndoshta dhe e vllahofonëve, malazezëve, si dhe e minoriteteve të tjera nuk morën pjesë në census. Kisha Ortodokse gjithashtu akuzon INSTAT-in se nuk ka arritur të dërgojë formularët në pjesën më të madhe të besimtarëve dhe këtë e mbështet me anë të një sondazhi të bërë nga ortodoksët që shkojnë në meshë të dielave. “E ndërsa pyetja për fenë u përcaktua si fakultative, me dëshirë, bashkë me atë të kombësisë, u kthye në fund fare në karakteristikën qendrore të këtij regjistrimi. (Vlen për t’u shënuar fakti se vetë regjistrimi, ndaj pyetjes së kombësisë, nxjerr këto rezultate: në fillim shqiptarë 82,58% dhe në fund nuk u përgjigjën 13,96%).


Sipas Këshillit të Europës, procedura e regjistrimit në lidhje me çështjen e kombësisë nuk është bërë sipas standardeve të pranuara ndërkombëtarisht dhe duhet të përdoret ‘me kujdesin më të madh’ dhe të mos mbështeten ekskluzivisht në këto vendimet e autoriteteve politike”, thekson në deklaratën e tij, Këshilli Klerikal i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që drejtohet nga Hirësia e Tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos.