Afresket e mrekullueshme të Mikelanxhelos në kishën Sistine në Vatikan mbushën 500 vjeç këtë javë, ndërkohë që Vatikani paralajmëroi se mund të jetë i detyruar të kufizojë numrin e vizitorëve për të mbrojtur një nga mrekullitë e qytetërimit perëndimor.
Më 31 tetor 1512, vetëm 20 vjet pas zbulimit të Amerikës, Papa Juli i Dytë mbajti një ceremoni mbrëmjeje për të inauguruar dhomën ku Mikelanxhelo pati pikturuar për katër vjet me radhë për të përfunduar afresket. Afresket u bënë menjëherë të famshme në qytet dhe që nga ajo kohë, njihen në të gjithë botën. Problemi është se tashmë një numër tepër i madh vizitorësh vijnë këtu duke e bërë këtë ndoshta muzeun më të vizituar të botës.
Ndërsa turizmi masiv rritet, çdo vit rreth 5 milionë njerëz, ose më shumë se 20 mijë çdo ditë, hyjnë në kishë dhe ngrenë kokat e veta lart. Shumica mbeten të magjepsur. Tavani i kishës ku kardinalët takohen fshehtas për të zgjedhur papët, përfshin një nga skenat më të famshme të historisë së artit, një krah të Zotit me mjekër që drejtohet për t’i dhënë jetë Adamit në seksionin e Gjenezës.
Më herët këtë muaj, kritiku i rëndësishëm italian, Pietro Citati, shkaktoi debat kur kritikoi sjelljet e turmave që po vizitojnë një skenë që teknikisht është ende një vend i shenjtë. Turistët, tha ai, “ngjajnë si një turmë të dehurish” dhe me dëshirë rrezikojnë të dëmtojnë afreskot me frymëmarrjen e tyre, me pluhurin e këpucëve apo me nxehtësinë e trupit. Sipas tij, turistët silleshin shumë keq duke injoruar urdhrat e Vatikanit për të mos bërë zhurmë dhe për të mos bërë fotografi.
Djersë, pluhur dhe dyoksid karboni
Citati u bë kritiku i radhës që kërkon reduktimin e ndjeshëm të numrit të vizitorëve në një objekt që është në krye të listave të vendeve që duhen vizituar në qytetin e përjetshëm. Gjatë shërbimit përkujtimor për 500-vjetorin e afreskove, Papa Benedikti duket se qe dakord për disiplinimin e turmës së turistëve.
“Kur shikohet gjatë lutjeve, kisha sistine është edhe më e bukur dhe autentike. Ajo përfaqëson të gjitha pasuritë”, tha ai.
Antonio Paoluci, drejtor i Muzeve të Vatikanit, tha se nuk parashikon kufizimin e numrit të turistëve tani për tani, por muzeumet ndoshta nuk kanë zgjidhje tjetër.
“Presioni i shkaktuar nga njerëzit, të tilla si pluhuri, lagështia apo dyoksidi i karbonit i krijuar nga frymëmarrja, mund të shkaktojnë shqetësime për vetë vizitorët dhe në terma afatgjatë, dëmtime të mundshme të pikturave”, tha ai.
“Ne mund ta kufizojmë numrin e vizitorëve dhe do ta bëjmë këtë nëse turizmi rritet përtej limiteve të arsyeshme dhe nëse nuk gjejmë mënyrë tjetër për të zgjidhur problemin”, tha ai. Sistemi aktual është i tillë që vizitorët mund të rezervojnë një kohë për vizitë ose të presin në radhë, por nuk ka limit për numrin e vizitorëve.
Më 1994, në fund të një projekti restaurues që zgjati për 14 vjet, teknikët instaluan një sistem për heqjen e lagështirës, kondicionimin e ajrit, filtra dhe kontroll mikroklimaterik për kishën. Por numri i vizitorëve është rritur kaq shumë gjatë 18 viteve të fundit, sa edhe ky sistem duket se po shfrytëzohet në maksimum.
Vatikani ka angazhuar një kompani të njohur për të krijuar një sistem edhe më novator për të mbrojtur afresket nga dëmtimet atmosferike. Drejtori i muzeve thotë se kisha e vogël është bërë një “atraksion fatal, një objekt i dëshiruar” për të gjithë turistët. Dëshira e tij është që të gjithë ata që dëshirojnë, ta vizitojnë kishën, por ruajtja e saj është prioriteti kryesor.