Adem Boba, babai i 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme pas plagosjes me thikë në zemër ka folur lidhur me ngjarjen.

Në një intervistë për mediat, babai i viktimës tha se djali i tij nuk ka pasur asnjë konflikt dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen. Ai thotë se i biri vetëm ka shoqëruar shokët e tij, pasi i kanë thënë për t’i dërguar me makinë që të sqaroheshin me disa persona të tjerë. Adem Boba deklaron gjithashtu se një grua e moshuar ka qenë dëshmitare okulare dhe ajo mundë të dijë më shumë informacione.

“Do të tregoj aq sa di. Djali ka qenë duke shkuar për në punë i kanë dalë disa shokë dhe i kanë thënë, na dërgo pak se kemi një muhabet për të sqaruar me disa të tjerë. As nuk i ka njohur ata çunat. Dhe aty ka nisur konflikti. Ku djali im ka mbetur më i dëmtuar. Nuk ka pasur lidhje me ngjarjen, por i ka çuar atje. I ka dërguar që të sqarohen dhe të ikte në punë të vet. Më ka ardhur e papritur.

Nuk ka pasur asnjë konflikt. E kam marrë vesh nga një shok i djalit pasi ka ndodhur ngjarja. Djali im ka ndërhyrë për t’i ndarë por ka marrë thika. Një grua me sa kam dëgjuar ishte dëshmitare okulare dhe mund të dijë më shumë. Aty mund të ketë qenë 6-7 çuna përfshirë nga të dyja palë. Ndërsa prindërit kanë thënë që ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër.

E kisha bërë edhe një si marrëveshje që nëse shpëtonte çuni, do t’i falja…Por tani gjërat ndryshojnë sepse edhe vet nuk jam i sigurt se çfarë do ndodhi, por do ja lej kohës…Por pres të funksionojë ligji, dua çfarë parashikon Kushtetuta e Shqipërisë…Ne shkuam për një jetë më të mirë…Rrija me qira. Ndërsa vitet që kam qenë në Bulqizë punoja në minierë”, ka thënë ai.