Bashkëkryetari i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë një denoncim publik në rrjetin social Facebook, duke njoftuar për një akt të rëndë intimidimi ndaj kandidates së kësaj force politike në Durrës, Valbona Myhedin.

Sipas denoncimit, kandidatja është kërcënuar me armë nga persona të dyshuar si të lidhur me krimin e organizuar.

Postim i plotë:

Pak minuta më parë antarë të krimit të organizuar në Durrës i kanë prerë rrugën kandidates tonë Valbona Myhedin dhe aktivistëve që e shoqëronin e i kanë treguar armën në brez për ta intimiduar.

Kandidatja ka qenë duke zhvilluar takime me qytetarët në lagjen nr. 8, shkolla Eftali Koçi ku po ndante programin elektoral.

Znj. Myhedin është edhe shtetase amerikane e për këtë do të njoftohet me urgjencë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai i paburrë që ka guxuar t’i tregojë armën 2 grave ta dijë që do përgjigjet para ligjit.

Kjo burracakëri nuk do kalojë lehtë. Nëse mendojnë se kthehemi pas, e kanë gabim!

P.s personi në video është ai që ka kryer këtë akt të ulët. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të marrë masat e duhura!