Një tragjedi e rëndë ka tronditur qytezën e vogël të Porcarit, në provincën e Luccës, Itali, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, kur Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 43 vjeçe, djali Hajdar, 22 vjeç, dhe vajza Xhesika, 15 vjeçe, u mbytën nga gazrat që dolën nga një kaldajë me defekt brenda shtëpisë së tyre.

Fqinjët kanë përshkruar momentet e tmerrshme të gjetjes së trupave të pajetë. Ernest Çela, një nga ata, tregoi se pas mbërritjes në vendngjarje me patrullën e policisë dhe vëllain e kryefamiljarit, ai shkoi për të kontrolluar trupat dhe ndjeu gjithashtu efekte të helmimit. “Aty pashë katër trupat pa jetë të shtrirë në tokë. I kontrollova për të parë nëse kishin ende puls dhe deri atëherë, ata kishin ende shenja jete. Por kur xhaxhai humbi ndjenjat, dhe unë bashkë me babain tim dhe dy karabinierët, filluam të ndiheshim në vështirësi. Aty kuptuam se kishte diçka në ajër, një gaz apo substancë tjetër,” tha ai.

Kryetari i Bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, ka reaguar për këtë ngjarje tragjike, duke theksuar se “një familje e tërë, familja Kola, ka humbur jetën në shtëpinë e tyre, ndoshta për shkak të monoksidit të karbonit që shpërtheu nga kaldaja me defekt. Jemi të gjithë të tronditur dhe të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike.”