Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në SPAK në kuadër të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” lidhur me dosjen “Partizani”.
Gjatë qëndrimit të tij në Prokurorinë e Posaçme, Berisha ka sqaruar se nuk u paraqit për thirrjen e prokurorëve në lidhje me hetimet për ngjarjen e 21 janarit, pasi, sipas tij, nuk ka marrë asnjë njoftim formal për këtë çështje.
Në një deklaratë të tij, Berisha ka theksuar se “njoftim” është një veprim i cili përfshin dorëzimin e një letre të shkruar ose një njoftim direkt nga një person. Ai ka theksuar se nuk ka marrë asnjë njoftim përmes postës fizike, as nga zyra e Parlamentit ku ka një postë elektronike që përdor vetëm për komunikime të veçanta. Po ashtu, Berisha ka shpjeguar se as në aplikacionet e mesazheve si WhatsApp dhe Signal nuk ka marrë thirrje apo mesazhe për t’u paraqitur në SPAK.
Më tej, ai ka shtuar se thirrjet për të nuk kanë ardhur për shkak të “frikës nga dëshmia e tij”, duke lënë të kuptohet se sipas tij, autoritetet kanë shmangur përballjen me të për shkak të asaj që mund të thoshte ai.
