Tre emigrantë nga Sudani, të cilët kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, janë shoqëruar nga Policia Kufitare në segmentin rrugor Korçë-Dardhë dhe janë vendosur në Qendrën e Përkohshme të Pritjes në pikën kufitare të Kapështicë.

Ky reagim ka ardhur pasi “Euronews Albania” bëri publike lajmi se ata kishin qëndruar mbrëmë gjithë natën jashtë në dëborë dhe se gjendja e tyre shëndetësore ishte e rënduar. Emigrantët kishin hyrë nga kufiri tokësor me Greqinë, për të kaluar më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ata i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore, ku janë trajtuar me ilaçe dhe veshmbathjet e nevojshme. Aktualisht tre emigrantët janë në gjendje shëndetësore të mirë dhe pritet të dërgohen drejt Tiranës, në një qendër sociale.