Pesë persona, katër prej tyre shtetas shqiptarë, janë dënuar nga drejtësia britanike pas zbërthimit të një rrjeti të organizuar të trafikut të kanabisit, që vepronte në Hull dhe East Yorkshire.

Sipas Policisë së Humberside, hetimi nisi në shkurt të vitit 2025, pasi strukturat kundër krimit të organizuar identifikuan një linjë të mirëorganizuar të shpërndarjes së drogës që furnizonte çdo ditë tregun lokal.

Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan se grupi përdorte aplikacione të koduara komunikimi, dokumente të falsifikuara sigurimi për automjetet dhe lëvizte vazhdimisht në qytete të ndryshme të Anglisë, përfshirë Londrën, Rugby, Sheffield, Middlesbrough dhe Hull, për të shmangur zbulimin.

Sipas dosjes hetimore, aktiviteti i rrjetit zhvillohej çdo ditë nga ora 11:00 deri në 23:00, ndërsa drejtimi i operacionit kryhej kryesisht nga persona që ndodheshin jashtë zonës së Humberside.

Në qendër të organizatës, sipas prokurorisë, ishte 30-vjeçari shqiptar Armir Metaj, banues në Middlesbrough. Hetuesit pretendojnë se ai koordinonte funksionimin e linjës së drogës, menaxhonte shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe organizonte lëvizjen e parave, drogës dhe bashkëpunëtorëve.

Më 22 tetor 2025, policia ndërmori një operacion të gjerë me tetë kontrolle të njëkohshme në Hull, Hessle, Doncaster, Middlesbrough dhe Rugby.

Gjatë aksionit:

  • Në Middlesbrough u arrestua Armir Metaj, ndërsa policia sekuestroi telefona celularë të përdorur për aktivitetin kriminal dhe një shumë parash që dyshohet se vinte nga trafiku i drogës.
  • Në Rugby u vu në pranga Manuela Metaj, në banesën e së cilës u gjetën 129,010 paund cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
  • Në një banesë në Hessle u arrestuan Endri Arifaj dhe Gazmir Hameti, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan kanabis me vlerë mbi 25 mijë paund, më shumë se 6 mijë paund para cash, telefona celularë, dy automjete dhe pajisje të përdorura për magazinimin dhe shpërndarjen e drogës.

Dy ditë më vonë, autoritetet arrestuan edhe shtetasin polak Patryk Gilwanowski. Dokumentet e gjetura në banesën e tij çuan policinë në një adresë tjetër, ku u zbuluan dy thasë me kanabis me një vlerë të përllogaritur rreth 20 mijë paund.

Gjatë procesit gjyqësor, Armir Metaj, Endri Arifaj, Gazmir Hameti dhe Patryk Gilwanowski pranuan fajësinë për akuzën e komplotit për furnizim me kanabis të Klasit B.

Metaj u përball edhe me një akuzë shtesë për komplot për furnizim me kokainë të Klasit A, por u shpall i pafajshëm pas një gjyqi në Gjykatën e Kurorës në Grimsby.

Ndërkohë, Manuela Metaj u shpall e pafajshme për përfshirje në trafikun e kanabisit, por u dënua për posedim të pasurisë me origjinë kriminale.

Gjykata e Kurorës në Hull vendosi këto dënime:

  • Armir Metaj – 5 vjet e 4 muaj burg;
  • Patryk Gilwanowski – 2 vjet e 6 muaj burg;
  • Endri Arifaj – 1 vit e 8 muaj burg;
  • Gazmir Hameti – 1 vit e 7 muaj burg;
  • Manuela Metaj – 18 muaj burg me pezullim, me kusht për një vit.

Duke komentuar operacionin, oficerja hetuese Claire Dobson deklaroi se Armir Metaj kishte një rol qendror në organizatë.

“Metaj drejtonte të gjithë aktivitetin e rrjetit, duke koordinuar lëvizjen e drogës, parave dhe personave në disa rajone. Nën drejtimin e tij vepronte një grup me role të ndara qartë, nga administrimi i bazave të fshehta deri te shpërndarja e drogës në rrugë, duke mbështetur funksionimin e të gjithë organizatës kriminale”, u shpreh ajo.