Autoritetet italiane kanë arrestuar në flagrancë tre shtetas shqiptarë, të cilët prej disa ditësh dyshohet se kishin kryer një sërë vjedhjesh në banesa në provincën e Ancona-s, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.

Sipas mediave italiane, operacioni policor nisi pasditen e 19 dhjetorit, pas rritjes së ndjeshme të rasteve të vjedhjeve në banesa në zonat Val Musone dhe Vallesina. Pas analizës së detajuar të ngjarjeve dhe shkëmbimit të informacionit mes strukturave hetimore, policia identifikoi tre persona të panjohur më parë në zonë, të cilët u vendosën nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Gjatë pasdites, tre të dyshuarit, të cilët lëviznin me një automjet me qira, u panë duke ndaluar në disa zona të ndryshme, përfshirë Castelbellino, Cupramontana dhe Chiaravalle. Pas disa orësh lëvizjesh të dyshimta, ata u kthyen në orët e vona të mbrëmjes në Castelfidardo, ku edhe u arrestuan nga policia.

Gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës së përdorur prej tyre, autoritetet sekuestruan rreth 100 sende me vlerë, mes të cilave 23 ora dore, përfshirë edhe ora luksoze, çanta të markave të njohura, rreth 600 euro para cash, si dhe pajisje ndriçimi, një mjet prerës dhe mjete të tjera të përdorura për kryerjen e vjedhjeve.

Tre shtetasit shqiptarë ndodhen tashmë në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ata janë të përfshirë edhe në vjedhje të tjera në zonë.