Lushnjë


E ëma zbuloi mesazhet që e bija shkëmbente me të riun


Edmond Hoxhaj


Policia e FieritDashuria për një 13-vjeçare të njohur në rrjetet sociale i ka kushtuar shumë një të riu në Lushnjë, i cili është arrestuar nga policia për marrëdhënie seksuale me të mitura. Lidhja e 19-vjeçarit me vajzën e mitur është zbuluar nga nëna e së dëmtuarës, e cila ka dyshuar te bisedat e shumta telefonike të së bijës dhe ka kontrolluar celularin e saj. Ajo është përballur me shkëmbime mesazhesh intime dhe në këto kushte, bashkë me të bijën, i është drejtuar policisë për të denoncuar 19-vjeçarin nga Lushnja, i cili është arrestuar nga policia. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, të cilat sqaruan se Klejdi Çela është ndaluar për “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.


Denoncimi


Sipas njoftimit të policisë, më datë 31 gusht, në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur e mitura E. F. 13 vjeçe, e shoqëruar nga prindërit, e cila në prani të psikologes ka shpjeguar se para 4-5 ditëve kishte kryer marrëdhënie seksuale me të ndaluarin. Ajo ka pohuar se ishte njohur me të riun në “Facebook” e më pas ishin takuar. Në praninë e një psikologeje dhe të ëmës, ajo ka treguar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me dëshirë dhe i riu nuk kishte kryer ndonjë akt dhune ndaj saj. Menjëherë pas marrjes së deklarimeve të së miturës, është kryer edhe ekspertimi mjekoligjor prej nga është konkluduar se 13-vjeçarja ishte e defloruar. Pas këtij konstatimi është bërë shoqërimi i 19-vjeçarit Klejdi Çela, i cili pasi është përballur me provat e siguruara nga policia ka pranuar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. Por, burimet pohojnë se ai ka këmbëngulur se gjithçka që ka ndodhur është bërë me mirëkuptimin dhe me dëshirën e vajzës 13-vjeçare dhe se ai nuk ishte në dijeni të moshës së saj. Megjithatë, pretendimin për moshën, policia nuk e ka besuar, kështu që ka vendosur të arrestojë të riun, i cili ka vazhduar të këmbëngulë se e donte vajzën e mitur.


Historia


Nga burime të gazetës mësohet se e mitura 13-vjeçare E. F. ishte njohur me të ndaluarin nëpërmjet rrjetit social “Facebook” në muajin prill të këtij viti. Prej asaj kohe ata kanë komunikuar shpesh me njëri-tjetrin e më pas edhe janë takuar në fshehtësi, por pa kryer marrëdhënie seksuale. Gjatë kësaj kohe, ata kanë shkëmbyer numrat e celularëve dhe kanë nisur të komunikojnë me biseda dhe mesazhe telefonike. Pesë ditë më parë, ata janë takuar për të disatën herë, duke vendosur që mes tyre të kishin raport intim. Por e mitura nuk ka arritur dot ta fshehë historinë e dashurisë që po përjetonte. E ëma e së miturës ka konstatuar dy ditë më parë se e bija komunikonte shpesh në telefon dhe se i mbërrinin shumë mesazhe. Për këtë arsye është bërë kurioze dhe ka kontrolluar telefonin e së bijës, ku ka gjetur mesazhet që i kishte nisur 19-vjeçari dhe anasjelltas. Pas kësaj, ajo i ka kërkuar të bijës t’i sqaronte se si ishte e vërteta. E mitura ka rrëfyer se ishte njohur me këtë djalë në muajin prill nëpërmjet rrjetit social “Facebook” dhe se prej asaj kohe kishin krijuar një marrëdhënie intime. Më pas ajo ka shpjeguar se kishin rënë dakord që edhe të kryenin marrëdhënie seksuale, gjë të cilën e kishin bërë fundjavën e kaluar. Pasi ka dëgjuar, e ëma ka vënë në dijeni bashkëshortin dhe e kanë bindur 13-vjeçaren se ky fakt duhej të denoncohej në polici.