Një 51-vjeçar është arrestuar në kryeqytet, pasi në magazinën që administronte te “Tregu Çam” u gjetën 1853 fishekzjarre të cilat dyshohet se do të shiteshin për t’u përdorur gjatë tubimeve të fundit.
Sipas bluve, i arrestuari dyshohet se u ka shitur lëndë piroteknike personave të maskuar që kryen veprime të dhunshme gjatë tubimit të 24 tetorit.
Njoftimi i policisë:
Evidentohet një tjetër ambient ku magazinoheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara, me qëllim shitjen pjesëmarrësve në tubime, për kryerje të veprimeve të dhunshme.
Operacioni “Fireworks 3”/Kishte magazinuar 1853 fishekzjarre, në ambientin që administronte te “Tregu Çam”, arrestohet 51-vjeçari.
Sekuestrohen mallrat.
Dje, Policia e Tiranës sekuestroi nga një banesë në rrugën “Zela”, 47 pako me fishekzjarre që shiteshin për qëllime të kundërligjshme.
Në kuadër të fazës së tretë të operacionit të koduar “Fireworks”, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që furnizojnë pjesëmarrës në tubimet e fundit, me sende të kundërligjshme, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të Policisë, si dhe kundër objekteve publike dhe private, specialistët e Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 51 vjeç.
Gjatë kontrollit në magazinën që ky shtetas administronte në rrugën “Çamëria”, u gjetën 1853 fishekzjarre. 51-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e këtyre mallrave dhe as dokumente shoqëruese për blerjen e tyre.
Nga informacionet e siguruara dyshohet se shtetasi i arrestuar iu ka shitur lëndë piroteknike shtetasve të maskuar, autorë të veprimeve të dhunshme, gjatë tubimit të datës 24.10.2026.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel
