I riu, Albian Hoxha 25 vjeç, tenton të trafikojë kanabis sativa drejt Italisë, arrestohet në Portin e Durrësit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se Hoxha e kishte futur lëndën narkotike në 4 shishe plastike dhe e kishte fshehur në serbatorin e makinës së tij, tip ‘Seat Ibiza’, me targë AA 037 LR.
Në momentet që ai ishte duke kaluar pikën doganore, mjeti i është nënshtruar kontrollit policor. Gjatë këtij procesi, oficerët kanë vënë re se në automjet kishte lëndë narkotike, e llojit kanabis. I riu është arrestuar në flagrancë dhe lënda narkotike peshonte rreth 1.5 kg. Ajo u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
17 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)