Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Bolonjë, ku humbi jetën 18-vjeçari shqiptar Valjero Maksuti. I riu, i njohur nga miqtë me nofkën “Lali”, ishte pasagjer në një Audi që u përplas me një shtyllë elektrike në zonën e via Murri. Automjeti drejtohej nga shoku i tij 19-vjeçar, gjithashtu shqiptar, i cili mbeti i plagosur dhe tashmë është arrestuar nga autoritetet italiane.

Dy të rinj shqiptarë në Itali

Sipas Corriere della Sera, të dy kishin vite që jetonin në Bolonjë, pasi kishin mbërritur në Itali si të mitur të pashoqëruar. Makina me të cilën udhëtonin rezultoi e vjedhur prej disa ditësh, ndërsa aksidenti ndodhi gjatë arratisjes nga një kontroll policor.

Viktima dhe e kaluara e tij

Maksuti kishte lënë së fundmi qendrën e akomodimit për të mitur dhe jetonte i pavarur. Vdekja e tij ka tronditur miqtë dhe të afërmit, të cilët e kujtuan me mesazhe prekëse në rrjetet sociale. Hetimet tregojnë se 18-vjeçari kishte vetëm një precedent të vogël penal: një kallëzim për vjedhje monopatini dhe rezistencë ndaj një punonjësi publik vitin e kaluar.

Shoferi dhe akuzat

I riu që drejtonte makinën, edhe pse pa patentë, nuk kishte pasur probleme të mëparshme me ligjin. Ai ishte pjesë e një programi shtetëror italian për të rinjtë e rritur, ku merrte mbështetje sociale dhe ndihmë për punësim. Së fundmi kishte filluar punë në sektorin e shërbimeve.

Pas aksidentit, autoritetet e arrestuan me akuzat e “vrasjes rrugore”, rezistencës ndaj policisë dhe përdorimit të një automjeti të vjedhur. Në makinë u gjetën gjithashtu mjete të forta – si një çekiç, grusht hekuri dhe pajisje për hapje me forcë – por në strukturën ku banonte i riu nuk u gjetën sende të paligjshme.