Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga vdekja e 30-vjeçarit shqiptar, i cili mbeti viktimë gabimisht pas një sherri mes 7 bashkëkombësve të tij.

Ngjarja ndodhi në një lokal në Nea Joni, Athinë, mbrëmjen e së martës (21 shkurt), ndërsa viktima ishte një klient i rastësishëm në lokal.

“Dëgjova 6-7 të shtëna, dola jashtë, ishte shumë rrëmujë këtu. E pashë viktimë, ishte në tokë, e kishin plagosur, por ishte gjallë. Ikën me një makinë, dëgjova ‘largohu, largohu’. Më pas erdhi policia, ambulanca dhe morën viktimë.”- tregoi një dëshmitar okular.

Krimi ndodhi pak para mesnate, kur katër burra hynë në lokal dhe u ulën në zonën vip. Më pas erdhën edhe të tjerë. Në momentin që kamarierja ka sjellë ujin, grupi prej 7 personazh janë përleshur. Ata janë larguar nga zona VIP dhe sherri është zhvendosur në pjesën e kafeterisë ku ndodheshin klientë të tjerë.

Në atë moment njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar. Plumbat kanë goditur 30-vjeçarin shqiptar që kishte shkuar në kafene për të parë ndeshjen.

Ai mbeti i plagosur në klavikul dhe u dërgua në spital me shenja jete, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 9 gëzhoja dhe autoritetet kanë gjetur makinat e grupit prej 7 anëtarësh jashtë lokalit ku ndodhi krimi.