Një masë arresti për drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe kontrolli i banesës së një prej zyrtarëve më të lartë të Policisë së Shtetit ishin goditja e fortë që tronditi opinionin publik në 24 orët e fundit. Por goditja nuk ishte vetëm institucionale.
Menjëherë pas arrestimit të Vlora Hysenit, në media nisën të qarkullojnë pjesë të dosjes hetimore, duke nxjerrë në dritë komunikime të saj me Ergys Agasin, një prej personave të arrestuar në dosjen e AKSHI-t.
Gazetarja Anila Basha ka komentuar në Top Story mesazhet e bëra publike, ku ka zbuluar edhe disa detaje të tjera. Ajo shprehet se këto mesazhe nuk kanë dalë nga qeveria, pasi kësaj të fundit nuk i leverdis kjo gjë.
“Mos të futemi te pjesa romantike, shpirti, zemra, por dukej që kalonte më shumë se aq, sepse kishte më shumë se impenjim romantik. Ajo që në thelb është totalisht e papranueshme për logjikën e çdo qytetari të thjeshtë, është se si është e mundur që kreu i SHISH ishte në komunikim me një person që ishte në kërkim. Kishte dhe telefonata të vazhdueshme e mesazhe që ishin lënë ‘seen’. Aq më tepër kur ke të bësh me marrëdhënie që shkojnë më tepër se normalja. Kjo do të krijonte imazhin e vetë shumë të fortë. Në kontekstin politik, a është kjo një tronditje? Sigurisht që është. Qeveria do të dojë ta minimizojë dhe ta konsiderojë si një përgjegjësi individuale të vetë shefes së SHISH.
Këto s’kanë dalë nga qeveria. Nuk besoj se qeverisë i intereson që t’i hedhë në treg. Por do dalin edhe të tjera.
Kur flasim për një strukturë siç është SPAK-u që ka hetuar, apo kompjuterët pse kanë dalë këto. Janë të fotografuara nga një kompjuter. I ka interesuar kjo situata rozë mes këtyre dy individëve.
Gjithë kjo historia e gjykatës dhe SPAK-ut, më shumë sesa po merremi me provat, po merremi me demaskimin e individëve që deri më sot janë konsideruar të paprekshëm e të pakapshëm”, tha ndër të tjera gazetarja.
