Në protestën në mbështetje të luftëtarëve të UÇK-së në Tiranë, ish-deputeti Azgan Haklaj, është shprehur se kjo ditë ka edhe bekimin e Nënë Terezës dhe të gjithë shqiptarëve nga të gjithë trojet.
Ai u shpreh se deri në ditët e fundit të jetës, ajo i lutej ish-presidentit të SHBA Bill Clinton, për të bërë diçka për popullin shqiptarë.
“Vëllezër dhe motra, siç e thash që në fillim, sot janë bërë bashkë nga të gjitha trojet etnike, të gjitha gjymtyrët e lisit kombëtar shqiptar. Pra në këtë shesh jemi mbledhur për të bërë një besëlidhje, ajo besëlidhje është e besëlidhja e botës shqiptare për të mbajtur UÇK-në e lavdishme.
Kjo besëlidhje është përballë botës serbe të shpallur nga sllavët dhe ajo që na ka bërë bashkë është UÇK-ja e lavdishme, e cila ka shkruar faqen më të lavdishme të historisë sonë. Sot çlirimtarët ndodhen në Hagë me akuza të fabrikuara, nuk ka gjë më kriminale.
Jemi mbledhur për të mbrojtur kauzën e tyre. Ne jemi komb shqiptar, nuk ka komb kosovar, kemi lindur shqiptar dhe do vdesim shqiptar. Këtu në sheshin Skënderbe jemi për një besëlidhje të re të shqiptarëve.
Ky tubim është edhe në vigjilje të lumturimit të shenjtores sonë Nënë Tereza. Kemi edhe bekimin nga ajo, e cila në ditët e fundit të saj i lutej Bill Clinton ‘bëni diçka për kombin tim’. Lutej për shqiptarët. Bill Clinton i tha ‘unë e kreva detyrën, tani është koha të lutesh t’i për mua’, te varri i Nënë Terezës.”– tha ai.