Sesioni i parë i Kuvendit ka nisur me replika mes kryetarëve të grupeve parlamentare.
Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi, u shpreh se mazhoranca do të vazhdojë të votojë ligjet e Edi Ramës për grabitjen dhe plaçkitjen e Shqipërisë.
“Një sesion i ri parlamentar normalisht duhet të fillojë me atë që do të bëjmë më mirë për shqiptarët në muajt që kemi përpara, por siç është katandisur ky parlament, nuk ka më ndonjë dilemë se kjo mazhorancë do të vazhdojë të votojë kokëulur ligjet e Edi Ramës për grabitjen dhe plaçkitjen e Shqipërisë. Do të vazhdojë të votojë programin e Edi Ramës për Shqipërinë si tokë e djegur nga sundimi i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Për Shqipërinë si tokë e djegur, ku mundësitë për qytetarin e ndershëm digjen me votën e kartonit tuaj.
Ju e keni bërë këtë prej 13 vitesh. Kjo maxhorancë, nën drejtimin e Edi Ramës, ka noterizuar kapjen e shtetit dhe plaçkitjen e Shqipërisë.
Vazhdoni ta bëni edhe në këto momente që flasim, duke refuzuar të përfshini në axhendën parlamentare zbatimin e Kushtetutës për balancën dhe kontrollin mes pushteteve, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe refuzoni të zhbëni ligjet që i heqin Edi Ramës mundësinë për të zhvatur qindra mijëra metra katror pasuri publike për llogari të disa klientëve të tij, për llogari të krimit të organizuar dhe për llogari të disa biznesmenëve që pastrojnë paratë e drogës dhe të korrupsionit bashkë me krimin e organizuar dhe qeverinë.
Ju, me ligjin e investimeve strategjike, i keni dhënë Ramës mundësi të zhdukë për interesa thellësisht private dhe plotësisht të pista 2.1 milionë metra katrorë tokë shtetërore në zonat më të bukura të Shqipërisë.
Vetëm dje në mbrëmje, me informacionet që ka prej vitesh si një nga njerëzit e afërt të Edi Ramës, me informacionet që ju ia dërgoni për të luftuar njëri-tjetrin, ish-zëvendëskryeministri juaj Arben Ahmetaj ka shpalosur para shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë hartën e kapjes së shtetit.
Edi Rama merr vendimet. Njerëzit e tij, herë me emrin Gys Agasi, herë me emrin Ron Jefet, bëjnë pazaret.
Kompanitë shtetërore përdoren për të kaluar pasuritë dhe paratë publike te privatët e përzgjedhur. Ndërsa drejtësia ndëshkon ndonjë vartës, por nuk prek atë që drejton skemën, Edi Ramën.
Në këtë hartë është edhe një mekanizëm pa të cilin asnjë nga këto pazare nuk do të merrte fuqinë e shtetit. Është vota juaj. Ju e votuat ligjin që krijoi KAYO-n. Ju i dhatë një kompanie të vetme shtetërore kontrollin mbi prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake”, u shpreh ndër të tjera Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, nuk i kurseu ironitë, duke u shprehur se opozita do të vazhdojë të votojë projektligjet e mazhorancës.
“Në fillim të sesionit, tradita e ka bërë që secili prej grupeve parlamentare, në emër të grupeve paraqet objektivat e veta. Më vjen mirë që i paskeni ndjekur me vëmendje propozimet tona dhe atë të Kryeministrit Rama, me bindjen se do e votoni. Është fillim i mbarë me angazhimin e opozitës për të votuar projektligjet që propozon mazhoranca.
Tani më lini të them disa fjalë për objektivat tona. Ne hymë në këtë sesion përmes Besës dhe Pranisë Besnike. Përfitoj t’ju a shpjegoj më mirë edhe juve. Besa nuk është vetëm një fjalë, por është besim, empati, shërbim, angazhim. Katër parimet që duhet të udhëheqim çdo kontakt tonin me qytetarin. Qytetari kërkon të dëgjohet. Kërkon të dijë se kush i përgjigjet hallit të tij, ku ndodhet çështja e tij, pse është vonuar dhe kur do të marrë përgjigjen. Prania Besnike nuk është as mbledhje partie dhe as takim ku ne flasim dhe njerëzit na dëgjojnë. E kundërta, ne vetëm do dëgjojmë. Çdo të premte, ora 17:00, në çdo territor të Republikës së Shqipërisë, qytetarët do të kenë kryetarët e PS-së aty për t’i dëgjuar. Jo për të dëgjuar sa punë kemi bërë, jo për premtime, por për të folur me njerëzit dhe për t’u dëgjuar, partia nuk bën shtet dhe deputeti nuk ndërmjetëson favore. Deputeti është me Kushtetutë zoti koleg, me ligj”, tha ndër të tjera Balla.
