Bashkia e Tiranës u kthye në një prej pikave kryesore të përplasjes së opozitës me mazhorancën, ndërsa vetë kryebashkiaku u shndërrua në objektiv të protestave.

Por protestat kundër Veliajt nuk ishin vetëm një përballje mes opozitës dhe kryebashkiakut. Dukshëm, prezenca e tij në aktivitete si figurë qendrore e mazhorancës ishte zbehur. Madje, shpesh duke i zhdukur fotot nga aktivitetet. Nën zë, dukej se po avanconte historia e një beteje që, sipas pretendimeve të bëra publikisht, mund të kishte edhe gjurmë brenda vetë mazhorancës.

“Unë mendoj se klanet në PS, rivaliteti mes Erjon Veliajt dhe Belinda Ballukut, fuqia dhe ambicia e tij për t’u bërë nesër kreu i PS, pasardhësi i Ramës ka bërë që çështja e tij penale të ndikohet politikisht. Pra, e ka lëshuar, le të themi, Rama, nuk ka bërë ato përpjekje politike, që jemi mësuar të shohim, si në rastin e Ilir Beqajt, në rastin e Olta Xhaçkës, në rastin e Frida Krifcës, janë të tre që janë mbrojtur nga kryeministri me fuqinë e tij politike, me ndikimin e tij tek organet e drejtësisë apo me mënyra të tjera”, u shpreh Arion Sulo, analist.

Emri i Belind Këlliçit u bë i pandashëm nga protestat përpara Bashkisë. Por, më pas, në hapësirën publike dolën edhe pretendime për financime dhe kontakte që lidhnin organizimin e protestave me njerëz dhe interesa të tjerë politikë. Pretendime të cilat u lidhën edhe me copëza përgjimesh nga dosja ‘Balluku’, ku insinuohej për financime protestash. Këto u mohuan publikisht nga Këlliçi. Megjithatë, ai nuk iu përgjigj interesit tonë për një intervistë ku, veç këtyre akuzave, do e pyesnim edhe për 2 standardet e aktivizmit të opozitës që kërcasin fort… Për Veliajn lumë protestash, për Belinda Ballukun thuajse heshtje…

Në shahun politik, luhej edhe e ardhmja e pushtetit brenda Partisë Socialiste. Veliaj kontrollonte politikisht një prej territoreve më të rëndësishme elektorale të vendit, ndërsa Belinda Balluku kishte ndërtuar një tjetër qendër të fortë influence brenda mazhorancës.

“Lufta në pushtet është gjithmonë për fuqi politike, është për të nesërmen, është për territor… në kuptimin e sa më shumë influence, sa më shumë vendimmarrje, dhe Veliaj si një pol i rëndësishëm në pushtetin e PS, duke pasur në administrim qytetin me mbi një milion banorë, nga ana tjetër zonja Balluku, duke qenë ish-zëvendëskryeministre dhe në ministrinë më me fonde, dhe ajo nga ana tjetër me fuqi financiare shumë të madhe, dhe politike shumë të madhe, drejtuesja e disa qarqeve shumë të rëndësishme, kanë pasur dhe kanë rivalitetin për të nesërmen e PS, sot për të qenë sa më afër Kryeministrit, dhe nesër për të qenë në krye të Partisë Socialiste”, u shpreh Arion Sulo, analist.

Brenda kampit rozë, askush nuk ka pranuar të flasë për këtë betejë në heshtje. Kjo shpjegon edhe faktin pse dhjetëra eksponentë të PS refuzuan të prononcohen. Por, vetë shfaqja e tyre në publik ngriti një pyetje të fortë: a ishte beteja kundër Veliajt vetëm një betejë e opozitës, apo në të kishte edhe një luftë të brendshme për pushtet?

“Në 20 vjet që unë jam marrë me sondazhe ka qenë gjithmonë në kuotat më të larta, përveç Edi Ramës, që kuptohet që vazhdimisht del politikani me kuotat më të larta, pra ka dalë sipër Berishës, sipër Bashës, sipër Metës. Dhe arsye pse Veliaj ka pasur këto kuota të larta në opinion publik, qoftë në Tiranë, qoftë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh analisti, Alban Dudushi.

Por sërish pyetja për zgjidhjen e kësaj dileme është se, nëse protesta kundër një kryebashkiaku socialist organizohej dhe mbështetej nga opozita, pse pas arrestimit të tij reagimi politik i opozitës nuk mori të njëjtën formë dhe intensitet?

Në këtë klimë hyri në skenë një aktor që ndryshoi natyrën e debatit: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por për Erion Veliajn, beteja nuk po bëhej më vetëm në rrugë dhe në politikë. Ajo po zhvendosej edhe brenda zyrave të drejtësisë.

Në pranverën e vitit 2024 u bë publike se SPAK kishte nisur një hetim pasuror ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Për herë të parë, akuzat nuk ishin më thjesht politike.

Në dhjetor të vitit 2024, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontroll në banesën e Veliajt. Në atë fazë, sipas raportimeve, hetimi lidhej me verifikime pasurore, ndërsa Veliaj i konsideronte kontrollet pjesë të një procesi që e quante të pajustifikuar.

“Është e vërtetë që prokuroria e posaçme ka bërë një volum të madh mbledhjesh dokumentacioni, por problematika më e madhe që ne konstatojmë në këtë fazë, që sigurisht ne do t’i publikojmë dhe do t’i shprehim në gjykatë kur të jenë momente të tjera, kur të jetë faza procedurale, është ajo që unë thashë, që i gjithë informacioni i mbledhur nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me detyrën e zotit Veliaj”, u shpreh Plarent Ndreca, avokati mbrojtës i Veliajt.

“SPAK, si organ procedues, ka ngritur një akuzë shumë të rëndë, për 9 raste korrupsioni të pretenduara dhe vepra shumë të rënda penale. Patjetër që ai është i bindur në momentin që ka ngritur akuzën dhe e ka marrë të pandehur zotin Veliaj, është i bindur që nga ana e tij janë kryer këto vepra penale”, u shpreh avokati, Indrit Sefa.

Më pas erdhi momenti që ndryshoi imazhin e gjithë historisë. Pamjet e Veliajt duke u larguar nga zyra nën shoqërimin e policisë u kthyen në simbol të përballjes së një prej figurave më të fuqishme të politikës vendore me drejtësinë.