Aprovohet kërkesa e akuzës për hetime ndaj Neritan Tabakut, nuk zbardhi vendimin
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka hequr imunitetin gjyqtarit Neritan Tabaku, për të cilin Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për moszbardhjen në kohë të vendimit që i dha pafajësinë Ilir Xhakes, vrasësit të kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Anëtarët e KLD-së vendosën dje unanimisht për aprovimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, duke u hapur rrugë hetimeve për shpërdorim detyre nga gjyqtarit.
“KLD-ja, në mbledhjen plenare të datës 5 tetor 2012, pati në fokus të rendit të ditës, shqyrtimin e kërkesave për procedime disiplinore të disa gjyqtarëve. Me vëmendjen e veçantë të Këshillit, u trajtua kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimit për procedim, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku. Në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor’, këshilli unanimisht miratoi këtë kërkesë, duke i dhënë rrugë procedimit penal ndaj gjyqtarit të sipërcituar, për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, si dhe duke pezulluar nga detyra gjyqtarin në fjalë”, pohon këshilli.
Në mbledhjen e djeshme, u trajtuan edhe çështje lidhur me veprime apo mosveprime nga ana e gjyqtarëve, në kundërshtim me ligjin, duke theksuar domosdoshmërinë dhe angazhimin maksimal për të evidentuar në kohë, nëpërmjet inspektimeve të vazhdueshme, të gjitha ato raste që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, si dhe një reagim të menjëhershëm institucional.
Tashmë, me heqjen e imunitetit për gjyqtarin Tabaku, Prokurorisë së Tiranës i hapet rruga për të kryer veprime për procedimin penal. Deri më tani hetimet për këtë çështje ishin në vendnumëro, pasi Tabaku kishte mburojë ligjore. Më 13 shtator, kur krimineli i pandëshkuar Ilir Xhakja goditi shtetin duke vrarë një kryekomisar, Tabaku gëzonte privilegjet që i jep imuniteti. Vepra penale që ai akuzohet nuk ka ndodhur në flagrancë dhe për rrjedhojë ai nuk mund të hetohej. Nga ana tjetër, ligji për kufizimet e imunitetit ndaj gjyqtarëve dhe deputetëve, ende nuk ka hyrë në fuqi. Megjithatë, ky ligj nuk mund të përdoret për rastin “Tabaku”, pasi ligji i ri nuk ka fuqi prapavepruese.
Grupi hetimor e ka pasur të pamundur mbledhjen e dokumentacionit, pasi nëse do të realizoheshin këto prova, nuk mund të përdoreshin në gjykatë. Duke hetuar një jurist, akuza do të veprojë me kujdes në mbledhjen e provave.
Krahas aprovimit të kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit, KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë kanë nisur një kontroll në Gjykatën e Durrësit dhe për koincidencë rezultoi se i njëjti gjyqtar, që liroi vrasësin e kryekomisarit, kishte vendime të njëjta në të kaluarën. Ai kishte liruar Klodian Saliun, një nga krerët e Bandave të Durrësit, rival me Lulzim Berishën. Për këtë lirim, i penduari i bandave, Adriatik Coli, tha se për lirimin e Saliut ishin paguar 200 mijë euro. Deklarata të tilla ende nuk janë verifikuar edhe sot. Ndërkohë, një tjetër vendim lirimi ishte edhe për të njohurin si Gëzimin e Kashtës.
Të gjitha këto vendime janë sekuestruar nga KLD-ja, e cila mësohet se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të propozojë marrjen e masave ndaj gjyqtarit Tabaku. s.ç.