Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që të mos marrë në shqyrtim relacionin e Këshillit të Karrierës mbi verifikimin e mandatit të gjyqtares Irena Gjoka. Me shumicë votash anëtarët e KLGJ vlerësuan se shqyrtimi duhet të bëhet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, për shkak se diskutimi mbi papërshtatshmërinë e gjyqtares ka lindur pasi ajo e ka marrë statusin e magjistrates.
Kujtojme që SPAK regjistroi një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohet se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Kallëzimi ishte depozituar në SPAK nga Adriana Kalaja.
Sipas SPAK, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.
Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se i kishte dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë KLGj-së, që është organi kompetent që duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi. KLGJ e cila shqyrton ankesat, kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.



