Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin zyrtar për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2025, ku vlerësohet stabiliteti makroekonomik i vendit, por ngrihen një sërë shqetësimesh serioze që lidhen me ambientin e biznesit.

Në këtë raport, theksohet se administrata shqiptare vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme, ndërsa ka shqetësime të vazhdueshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2025, Shqipëria përshkruhet si një vend me disa probleme në fushën e investimeve dhe sundimit të ligjit, të cilat ndikojnë në klimën e përgjithshme të biznesit.

Në dokument thuhet se sfidat kryesore që dëmtojnë ambientin e biznesit përfshijnë korrupsionin e përhapur, një sistem gjyqësor të dobët, mungesën e transparencës në prokurimet publike, si dhe praninë e madhe të ekonomisë informale dhe pastrimit të parave – sidomos me burim nga trafiku i drogës.

Në raport theksohet se ekonomia informale ka ndikuar ndjeshëm në shtrembërimin e konkurrencës në treg. Për më tepër, bizneset raportojnë ndërhyrje të paligjshme, shantazhe dhe presion nga aktorë të administratës publike, media dhe grupe të organizuara kriminale.

Top Channel