Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka përgëzuar Klodian Braho për zgjedhjen e tij si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Gjatë një deklarate për mediat, Gonzato ka shprehur mbështetje për këtë proces dhe për zgjedhjen e një kandidati me integritet dhe pavarësi, siç është Braho.
“Ne jemi këtu për të treguar mbështetjen tonë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe për të vënë theksin tek rëndësia e këtij procesi emërimi. SPAK ka një rol kyç në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dhe kjo është një kërkesë thelbësore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian,” tha Gonzato.
Ai theksoi se një nga kërkesat kryesore të BE-së ishte që të zgjidhej një kandidat i pavarur, me nivele të larta integriteti dhe që mund të vazhdojë punën e filluar nga SPAK. Gonzato e përshëndeti Klodian Braho për angazhimin e tij dhe shprehu dëshirën për të bashkëpunuar ngushtësisht me të në vijim.
Braho është zgjedhur si pasues i Altin Dumanit në krye të SPAK, duke marrë 7 vota nga KLP, ndërsa kandidatë të tjerë si Adnand Xholi dhe Elvin Gogaj morën përkatësisht 3 dhe 1 votë. Ky proces është ndjekur nga afër nga ndërkombëtarët, të cilët kanë shprehur mbështetje për forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
