Sekretari organizativ shpalos strategjinë e opozitës për votimet e 2013-s
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste nis procesin e verifikimit të zgjedhësve në terren. Kur ka dhe tetë muaj nga afati i përballjes në kutinë e votimit, partia më e madhe e opozitës ka nisur verifikimin e zgjedhësve, duke u bazuar fillimisht te lista që u përdor në votimet e 8 majit 2011. Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, në një deklaratë për mediat, theksoi se “identifikimi i zgjedhësve, ruajtja e votës dhe shtimi i radhëve të koalicionit opozitar, përbëjnë boshtin kryesor të strategjisë së PS-së për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”. “Të gjithë funksionarët e lartë të partisë janë të ngarkuar, të mirorientuar, mirëstrukturuar, për të pasur mundësi që në çdo kontakt me qytetarët të shpalosin mirë arsyet përse njerëzit duhet të votojnë programin ‘Për një Rilindje Shqiptare’. Kemi një punë të madhe për të bërë në terren, për të evidentuar zgjedhësit shqiptarë. Rezultatet e para kanë dalë dhe shifrat janë të frikshme e për këtë, PS duhet të bëjë një punë shumë të madhe. Kemi shumë punë për të zbutur informalitetin e madh në infrastrukturën zgjedhore”, deklaroi për “AS TV”, zyrtari i PS-së, Klosi. Për çështjen e listave, për të cilën PS-ja ka pasur pretendimet e saj, po merren masa për organizim më të mirë, nisur dhe nga hapësirat që iu jep Kodi i ri Zgjedhor. “Mendoj që Kodi i ri Zgjedhor na ka dhënë më shumë hapësira dhe mendoj që me këtë Kod, përfaqësuesit e PS-së kanë shumë më tepër hapësira për të marrë informacion. Gjithë kjo luftë shkon në një gjë që duhet të ishte detyra kryesore e shtetit, t’u japë informacion forcave politike për të shkuar në këtë garë. Ne këtë informacion e morëm me një luftë shumë të madhe dhe tani kemi detyrën të zbatojmë strategjinë tonë, që është puna”, deklaroi Klosi.
Garancia e Kodit
Opozita do të mbikëqyrë procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, nëpërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pika 2 e nenit 61 të kodit përcakton se “KQZ-ja, jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i zgjedhjeve, emëron me vendim dy auditë teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të RKGJC-së. Të drejtën e propozimit për secilin audit-teknicien e kanë respektivisht kryetari dhe zëvendëskryetari i KQZ-së, pas konsultimit me përfaqësuesit e partisë më të madhe të shumicës dhe asaj më të madhe të pakicës në KQZ. Auditët-teknicienë nuk mund të shkarkohen nga detyra, përveç shkeljeve të përcaktuara në pikën 9 të këtij neni. Auditi-teknicien zëvendësues emërohet jo më vonë se 5 ditë sipas së njëjtës procedurë dhe kriter të përcaktuar në këtë nen”. Gjithashtu një garanci për opozitën është dhe fakti se për çdo ndryshim që pëson lista paraprake e zgjedhësve, partive politike do t’i vihet në dispozicion. “Çdo audit-teknicien ka akses në sistemin elektronik dhe bazën e të dhënave të RKGJC-së, për të bërë të mundur leximin dhe krahasimin e përbërësve të gjendjes civile, ndryshimeve të tyre, kohën kur janë kryer këto veprime nga përdoruesit apo administratorët e sistemit, si dhe të raporteve të auditit apo çdo lloj raporti të sistemit elektronik, të cilat gjurmojnë të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur mbi përbërësit zgjedhorë në RKGJC, për periudhën që kontrollohet, duke përfshirë dhe metodologjinë si gjenerohet ky raport. Aksesi i auditit në RKGJC, në çdo rast është jo më i vogël sesa aksesi që ka Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Gjendjes Civile”, thuhet në pikën 5 të po këtij neni.
Anëtarët e KQZ-së
Kuvendi pritet të votojë këtë të enjte emrat e 7 anëtarëve të KQZ-së. Këtu përfshihet dhe zgjedhja e kryetarit të këtij institucioni, që për herë të parë pritet të drejtohet nga një grua