Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka dalë me një deklaratë publike ditën e sotme në lidhje me prokuroren Elsa Gjeli, në qendër të diskutimit për ndërtiemt pa leje në Theth.
Manja reagoi ashpër ndaj Prokurorisë së Shkodrës dhe në veçanti ndaj mosveprimit të prokurores që refuzoi hetimin për ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit. Sipas tij, ky rast përbën një goditje serioze ndaj shtetit të së drejtës dhe minon besimin e qytetarëve te drejtësia.
Ai ka njoftuar se ka kërkuar zyrtarisht nisjen e një hetimi disiplinor ndaj Gjelit, duke e cilësuar vendimin si një rast të qartë të shpërfilljes së ligjit. Sipas Manjës, prokurorja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor përpara se të vendoste mosfillimin e procedimit penal.
“Si Ministër drejtësie, bazuar në kompetencat që më jep ligji, kam kërkuar zyrtarisht dje nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mos-ushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit që ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një parku turistik në zemër të Thethit. Ka patur dhe raste të tjera por nuk kanë qenë kaq sensitive. Duke analizuar vendimin e mosfillimit, duke ballafaquar argumentet e dhëna në hetim me Kushtetutën dhe ligjin, ne mendojmë se ky vendim bie ndesh me parimin e ligjshmërisë.
Shqipëria 2030 nuk ndërtohet duke toleruar paligjshmërinë. Me justifikime teknike me artifica ligjore për t’iu shmangur detyrave që përcakton kushtetuta dhe ligji. Drejtësia që kemi premtuar ndërtohet jo vetëm me institucione të pavarura.
Nuk jemi kundër që prokuroria e Shkodrës dhe çdo prokurori ta ngrejë zërin kur cenohet pavarësia e ushtrimit të funksionit të prokurorit. Por ka dhe detyrime që të thellohet kur ka një çështje me ndjeshmëri publike për të parë nëse është zbatuar ligji dhe kushtetuta. Prokuroria si institucion përveçse ushtron funksionet duhet të japë llogari para qytetarëve të Shkodrës për mbrojtjen e territorit. 83 mandatet që shqiptarët na dhanë janë më shumë se një votëbesim. Janë një barrë për të reaguar shpejt, qartë me vendosmëri për çdo gjë që nuk shkon dhe me ndonjë devijim në institucionet tona. Nuk na heq të drejtën që të njëjtën llogari dhënie ta kërkojmë edhe nga sistemi i drejtësisë, drejtësia europiane nuk mund të jetë drejtësi selektive, nuk mund të jetë në heshtje përballë minimit të natyrës.
I bëj thirrje KLP të veprojnë pa vonesë, ta hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji. Më shumë se një rast i mosfillimit të hetimit, organet kanë përgjegjësi të garantojnë integritetit te drejtësia. Raste si ky minojnë reformën në drejtësi, besimin e publikut. Është cenim i shtetit të së drejtës. Unë nuk e di si do jetë përfundimi i hetimit, por kam besim te institucionet e reja të drejtësisë, do e hetojnë deri në fund, i cili krijon precedent të rrezikshëm dhe i hap rrugë gjendjes së paligjshmërisë në territorit.”– tha Manja.



