Përplasja gjakatare mes grupeve të Tepelenës të drejtuar nga Elton Çiço dhe Jani Aliaj, e ka zanafillën 2 dekada para se të ekzekutohej ky i fundit.
Një konflikt mes dy personave, u kthye në një spirale atentatesh që do të përfshinte dy grupe, dy shtete dhe disa qytete. Gjithçka nis në Atikën Perëndimore, në Greqi. Një 20-vjeçar, E. Ballazhiu, me origjinë nga Zhapokika e Memaliajt, goditet për vdekje me thikë. Autor i krimit ishte Jani Aliaj. Viktima ishte shok fëmijërie i Elton Çiçës….Ishin rritur bashkë në Tepelenë, në të njëjtën lagje, me të njëjtat lidhje shoqërore dhe familjare.
“Është nga ato histori që ja vlen ta diskutosh, por duket që ka një tjetër zhvillim nga ajo që ne jemi mësuar zakonisht, ku në histori të tjera shohim që në njëfarë mënyre gjaku i një personi të vrarë merret nga persona të afërt të tij, vlla kushuri, ndërsa në këtë historinë mes Jani Aliajt dhe Elton Çiços gjaku merret nga shoku”, u shpreh Xhevahir Zhabina, gazetar
“Kjo ka krijuar edhe faktin që kemi një numër të lartë viktimash edhe mos-mbylljen kurrë të këtyre konflikteve, të cilat janë konflikte shumë të ashpra, kanë sjellë vepra të rënda penale, kanë sjellë edhe vrasje të shumta”-, u shpreh Indrit Sefa, avokat.
Vrasja nuk u perceptua si një akt i izoluar, por si një plagë personale. Kur Çiça mëson se kush ishte autori, reagimi i tij nuk mbetet në heshtje. Ai dërgon fjalë në burg. Një mesazh i drejtpërdrejtë: kjo vrasje nuk do të mbetej pa përgjigje. Në atë kohë, Alia ishte arrestuar dhe ndodhej në paraburgim në Greqi. Konflikti, ende pa u materializuar fizikisht mes tyre, kishte marrë formë si premtim hakmarrjeje. Rreth tre vite më vonë, fati i vendos të dy në të njëjtin institucion: Burgun e Koridhalosë, aty ku do ishte fundi i “Xhekut”.
Alia tashmë i dënuar me 18 vite burg për vrasje. Çiça me 5 vite për drogë. Dy burra nga i njëjti qytet, me një llogari të hapur gjaku, ndahen vetëm nga muret e një burgu të sigurisë së lartë.
Përplasja e parë fizike ndodh në ajrim. Çiça e godet me thikë Alinë që arrin të mbijetojë. Konflikti kishte kaluar nga paralajmërimi në gjakderdhje direkte. Por as ky episod nuk e mbylli ciklin.
“Në Shqipëri është vërtetuar në shumë raste që disa histori kriminale nuk mbyllen kurrë. Kanë vazhduar për vite për dhjetëra vjeçar. Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë ekzistojnë këto fenomene, ekziston ndjenja e hakmarrjes, edhe është një histori e trashëguar është një ndjenjë e trashëguar”, u shpreh Indrit Sefa, avokat.
Disa kohë pas kësaj ngjarjeje, Alia përfiton leje pasi kishte kryer rreth 10 vite dënim. Ai del nga burgu dhe nuk kthehet më. Shpallet në kërkim nga autoritetet greke. Çiça, nga ana tjetër, përfundon dënimin dhe lirohet. Tashmë të dy janë jashtë. Dhe kur dy armiq me histori gjaku dalin në liri, përplasja nuk shuhet, ajo zhvendoset.
Nga ai moment, hakmarrja shpërthen në disa fronte: Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier. Atentate të realizuara, tentativa të dështuara, persona të vrarë dhe të plagosur që nuk ishin gjithmonë objektivi i drejtpërdrejtë, por pjesë e rrethit. Për një dekadë, kjo sagë llogaritet të ketë prodhuar katër viktima, pesë të plagosur dhe disa atentate të mbetura në tentativë.
“Informacionet kanë qenë se përplasje mes grupeve do ishte shumë e përgjakshme, pasi të dyja grupet ishin me goxha njerëz, ishin goxha të fuqishëm ekonomikisht, dhe hakmarrja e tyre do të ishte shumë e përgjakshme”, u shpreh avokati, Gjergj Nikolla.
Para se plumbat të gjenin Elton Çiçën në Tiranë, kishte pasur dy tentativa të qarta për të eliminuar Jani Alinë. Dy episode që, të marra veçmas, mund të dukeshin si përplasje sporadike. Por, të vendosura në të njëjtën vijë kronologjike, ato ngjajnë si paralajmërime të një fundi që po afrohej.




