Autoritetet lokale kanë dhënë një urdhër për evakuimin urgjent të banorëve të njësisë administrative Novoselë në Bashkinë e Vlorës, si pasojë e përmbytjeve dhe rrezikut që u shkaktohet banorëve të kësaj zone pas daljes së lumit Vjosa nga shtrati.
Sipas një njoftimi zyrtar të Emergjencave civile, evakuimi po realizohet nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektit të Qarkut dhe strukturave lokale të emergjencave civile.
Prioritet gjatë evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara. Transporti po sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si dhe Forcat e Armatosura.
LAJMËRIM ZYRTAR PËR EVAKUIM TË MENJËHERSHËM
Në zbatim të:
Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”
Planit Kombëtar të Emergjencave Civile
Planeve Vendore të Emergjencave Civile,
si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të:
Bashkisë Vlorë
Njësisë Administrative Novoselë
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me:
Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)
Prefektin e Qarkut përkatës
Strukturat e Emergjencave Civile në bashki
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë:
Fëmijët
Të moshuarit
Personat me aftësi të kufizuara
Familjet në zona të izoluara
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:
Mjetet e Bashkisë
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH)
Forcat e Armatosura
MENAXHIMI I STREHIMIT TË TË EVAKUARVE
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me:
Policinë e Shtetit
Njësitë e kujdesit shëndetësor
Strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës
Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:
Regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm
Administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore
Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim
Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave.
