Një hetim 7-mujor i përbashkët mes autoriteteve greke dhe holandeze kanë vënë në pranga një shtetas grek me origjinë shqiptare, i shpallur në kërkim si “koka” e një mafie droge.

Protothema.gr shkruan se ka rënë në pranga një 52-vjeçar shqiptar në Glyfada, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije. Ai ishte me urdhër-arresti nga Europa si drejtues i një organizate kriminale që merrej me shpërndarjen e mallrave të mëdha.

Siç njofton Ministria e Financave Greke, organizata kriminale në fjalë trafikonte çdo ditë, nëpërmjet një sistemi bankar “të nëndheshëm” me përdorimin e komunikimeve të koduara, shuma të mëdha parash dhe llogaritet se për një periudhë rreth 10 mujore, janë trafikuar rreth 250 000 000 euro.

Në kontrollin e kryer në banesën e të arrestuarit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma parash në kartëmonedha nga vende të ndryshme, mes të cilave euro, dollarë amerikanë, dollarë kanadezë, dollarë australianë, franga zvicerane, lira turke, dirham të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe nga Afrika e Jugut.

Gjithashtu janë konfiskuar telefona celularë, përfshirë një celular që përdoret për biseda të koduara përmes aplikacioneve speciale, një tabletë, një disk dixhital dhe karta SIM.

Drejtoria Operative në Attika vijon bashkëpunimin me Autoritetet Holandeze përkatëse dhe me Autoritetet Gjyqësore kompetente të vendit, pasi ka dyshime të arsyeshme për pastrim parash në Greqi nga aktivitete kriminale.