
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të drogës u vu në pranga edhe Eldi Dizdari, Ai akuzohet si një nga krerët e kokainës në Shqipëri dhe është kapur në Dubai.
Eldi Dizdari është personi që ka pasur një konflikt të fortë me Ervin Matën në mbrëmjen e 4 tetorit në ish-Bllok, rreth gjysmë ore para se të ndodhte përplasja me armë brenda këtij lokali.
Mata dhe Dizdari janë konfliktuar me njëri-tjetrin në rrugë, përpara një lokali. Dyshimet janë se Mata dhe Dizdari janë zënë për çështjen e një borxhi financiar, borxh i cili nuk ishte shlyer nga Ervin Mata.
Në këtë konflikt është përpjekur të hyjë dhe komandoja Merviol Bilo, por nga pamjet filmike ka rezultuar se Bilo largohet nga Mata dhe më pas Eldi Dizdari së bashku me personat e tjerë që ishin me të janë larguar.
Makina e tyre është ndjekur në këmbë nga Mata dhe grupi i tij, por nuk kanë mundur më ta shikojnë dhe janë rikthyer sërish pas, duke u futur në lokal. Ndërkohë Dizdari nuk ka qenë fizikisht në lokalin ku ndodhi dhe përleshja fizike dhe me armë, pasi është larguar në drejtim të pacaktuar ende.
Pamjet filmike të disa bizneseve sipas prokurorisë kanë zbuluar se Dizdari ka qenë personi i parë ai që është përplasur me Ervin Mata dhe më pas është larguar.
Eldi Dizdari njihet dhe me emrin Denis Matoshi dhe është kushëri i afërt me Arbër Çekaj, pronarin e kompanisë së bananeve të arrestuar në Gjermani për trafikun e 613 kg kokainë që u sekuestrua në Durrës.