Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar për herë të parë pas kandidimit për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, duke konfirmuar se vendimi është marrë gjatë ditës së sotme.

Në një prononcim për mediat, Korreshi tha se kandidimi është një zgjedhje personale dhe se nuk është nxitur nga askush.

“Është vendim i ditës së sotme”, u shpreh ai, ndërsa i pyetur nëse kandidimi ishte vendim i tij, u përgjigj: “Nuk më detyron njeri. Na njohin. Lobimi është ajo çka ne përfaqësojmë me njëri-tjetrin. Të gjithë e dinë, nëse ka ardhur koha që do ndryshojë, do ndryshojë.”

I pyetur se çfarë do të bënte nëse zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, Korreshi u përgjigj shkurt: “Të mbarojë njëherë votimi.”

Ndërkohë, gara për postin e Sekretarit të Përgjithshëm pritet të zhvillohet gjatë procesit zgjedhor në Partinë Demokratike. Sipas informacioneve, përballë Korreshit do të jetë Flamur Noka.

Edhe pse në selinë blu u përfol emri i Blendi Himçit si një kandidat i mundshëm për këtë post, në fletën e votimit rivali i Flamur Nokës do të jetë deputeti Saimir Korreshi.