Këshilli i Ministrave ka vendosur sot shkarkimin nga detyra të zëvendës ministrit të Brendshëm, Julian Hodaj. Në mbledhjen e sotme qeveria ka vendosur lirimin nga detyra të Julian Hodajt, detyrë të cilin ai e mbante që nga 9 Tetori 2017.
Kujtojmë se ky është zv.ministri i dytë që shkarkohet, pas rasti të Andi Mahilës, i cili u pushua pas një denoncimi nga një qytetar shqiptar që jeton në Nju Jork. Sipas tij, zv.ministri Mahila kishte tymosur cigare në një restorant gjatë një vizite në SHBA, duke shkaktuar shqetësim te të pranishmit.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu e dha lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetar ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant. Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra”, shkroi Koçiu.

Vendimi i qeverisë:
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


