Me duartrokitje dhe brohorima është pritur ekipi i Shqipërisë gjatë daljes për nxehmjen e zakonshme para ndeshjes kundër Anglisë.

Tifozët po vijojnë të mbushin stadiumin ‘Air Albania’, teksa gjithë biletat janë shitur (22 mijë).

Para sfidës së sotme ka pasur festë në Kombëtare dhe protagonist u bë mesfushori Adrion Pajaziti i cili festoi 23 vjetorin e lindjes me ekipin.

Trajneri Sylvinho ka vendosur që për këtë duel mos ketë të gatshëm Mario Mitajn dhe Juljan Shehun, të dy të ndëshkuar me karton të verdhë. Të ndëshkuar janë gjithashtu Ajeti, Manaj dhe Bajrami, dy nga të cilët nuk luajnë nga minuta e parë. Nëse marrin një karton të verdhë, e sigurt është se mungojnë në gjysmëfinalen play-off, ndaj trajneri ka programuar një rotacion me pesë ndryshime nga fitorja 0-1 e tre ditëve më parë në Andorra.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni Trajner: Sylvinho

Anglia (4-3-3): Henderson; Burn, Quansah, Stones, O’Reilly; Bellingham, Wharton, Rice; Eze, Bowen, Kane Trajner: Thomas Tuchel

Afro 22 mijë tifozë do jenë sot në “Air Albania”, ndërsa ka nisur futja e tyre në stadium me sigurinë e shtuar. Sa i takon anglezëve, një numër i madh i miqve pritet në impiant, teksa nuk pritet përplasje. Të gjitha biletat janë shitur prej disa ditësh.

Statistikat kundër Anglisë

Shqipëria dhe Anglia janë përballur shtatë herë më parë. Në të gjitha rastet ka fituar Anglia, ndërsa ne i kemi shënuar ‘Tre Luanëve’ vetëm një herë, në humbjen 1-3 në ‘Qemal Stafa’ më 28 mars 2001, me gol nga Altin Rraklli. Ndërkohë që Anglia na ka shënuar 21 gola.