Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka reaguar pas deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore që u diskutua në Kuvend.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Kos tha se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së.

Kos shtoi po ashtu se çdo sulm ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, është i papranueshëm, pasi sipas saj, kërkesa për barazi gjinore nuk është kërkesë personale e tij.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të EUinAlbania Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkroi Kos në rrjetin social ‘X’.

Kujtojmë se kryedemokrati ishte i pari që kundërshtoi aktin duke e cilësuar minim të familjes shqiptare, ndërsa mes personave që përmendi ishte edhe kreu i delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato.

“Një gazetar më tha se Ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit. I kërkojë të nderuarit ambasador, ku shkruhet në dokumentet e BE përkatësi e shumëfishtë gjinore apo gjini me gjini të shumtë?”, tha mes të tjerash Berisha.

Për ambasadorin Berisha foli edhe në oborrin e Kuvendit, duke u ndalur te orientimi i tij seksual.

Kjo ndasi për këtë akt krijohet nga nocioni i identitetit të shumëfishtë, ku për demokratët lexohet si gjini e shumëfishtë, ndërsa për socialistët si status shoqëror i shumëfishtë