Politologu Afrim Krasniqi kritikoi konferencën për shtyp të Policisë së Shtetit, që ditën e sotme shprehu shqetësimin për një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, i cili konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve (reviews) dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera.

“Është një rast i paprecedentë. Policia e Shtetit shpreh shqetësim për komentet e qytetarëve për restorantet dhe hotelet e Shqipërisë, ndërkohë që e mbyll deklaratën duke i ftuar pronarët e hoteleve që të bëjnë denoncime për rastin. Do të thotë që policia është nisur mbi një bazë jo denoncuese. Së dyti, në aspektin shtetëror, deklarata nuk pati asnjë citim ligji. Kjo sepse komentet në shërbimet publike në Shqipëri nuk dënohen me ligj. Policia e Shtetit nuk ka kapacitete për t’u marrë me këtë gjë, që të hetojë nëse komentet mbi restorantet janë bërë me qëllime negative apo jo. Nëse do ishim shtetas danezë, nuk do të ndikohej për keq imazhi ynë për Shqipërinë nëse lexonim se një restorant i caktuar nuk na ka ofruar shërbimin e duhur. Por, do mateshim mirë para se të shkonim në Shqipëri nëse kryeministri bën status publik ku thotë se në këtë vend terroristët iranianë financojnë protestat”, tha Krasniqi.

Sipas tij, edhe ndërkombëtarët janë habitur nga dalja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

“Sot, telefonata e parë që ka ardhur në lidhje me këtë gjë ka qenë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, që nuk arrinin dot të kuptonin se si policia shpall për të hetuar 10 mijë veta pa patur asnjë denoncim, pa bazë ligjore dhe pa pasur një objekt. Ky është problemi kryesor”, shtoi Afrim Krasniqi.