Buxheti i shtetit ka përfituar deri më tani 553 milionë lekë nga rritja e çmimeve të hidrokarbureve, ndërsa efekti negativ prej uljes së akcizës së naftës me 20% është vetëm 37 milionë lekë në muajin prill. Në komisionet parlamentare mazhoranca miratoi aktin normativ të uljes së naftës, dhe rrëzoi propozimet ligjore të opozitës për uljen të taksës së qarkullimit.
Ishte Komisioni i Ligjeve që e miratoi aktin normativ për uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri. Kjo lehtësi fiskale që do të jetë në fuqi deri në përfundim të situatës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, u aplikua për herë të parë më 3 prill, kur çmimi i naftës arriti 233 lekë, por me uljen e akcizës u pagua nga qytetarët 224 lekë për litër.
Opozita kërkoi ndërhyrje edhe në taksën e qarkullimit. Por fuqia e ‘kartonave’ në Komisionin e Ekonomisë, e rrëzoi atë. Mazhoranca argumentoi se masat e marra deri më tani nga qeveria janë të mjaftueshme për të mbajtur situatën në kontroll.
