Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës për zjarrin te Kompleksi ‘Arlis’ dhe vështirësitë me të cilat po hasen kompanitë e transportit, pas rritjes së çmimit të naftës me nisjen e luftës në Iran.
Gjatë fjalës së saj në mbledhje, Ristani tha se bonusi i qirasë për familjet e prekura nga zjarri te kompleksi ‘Arlis’ do të jepet deri në rehabilitimin e godinës.
“Zjarri i përmasave të mëdha te Kompania Arlis, dhjetëra familje mbeten pa banesë, me dëme të shumta materiale, për fat të mirë, vetëm dëme materiale. Ka pasur të gjitha ndërhyrjet e mundshme të të gjithë aktorëve, nuk dua të them vetëm zjarrëfikësit, që kanë pasur angazhimin e tyre. Në këto raste jeta është më e rëndësishmja dhe kjo është arritur me sukses. Patjetër që reagimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve ka qenë i menjëhershëm në administratë. Patjetër që reagimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve ka qenë i menjëhershëm këtu në administratë, duke konfirmuar që e kishim bazën ligjore për të dhënë një kontribut për strehim të këtyre banorëve, në këtë periudhë të ndërmjetme kur ata kanë mbetur të pastrehë, deri në momentin e rehabilitimit të banesave të tyre”, tha mes të tjerash Ristani.
Ndërsa teksa foli për vështirësitë që po hasen kompanitë e transportit urban me rritjen e çmimit të naftës, Ristani i kërkoi këshilltarëve bashkiakë që të japin pëlqimin për projektvendimin e Këshillit të Ministrave, për kompensimin e këtyre kompanive me 50 lekë të reja për litër, gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Së dyti është situata energjitike globale me rritjen e çmimit të karburantit, që ka ndikuar shumë thellë në qëndrueshmërinë e operimit të operatorëve të transportit publik. Bashkia operon me transportin publik përmes kontratave të të tretëve. Nuk ka flotën e vetë. Të gjitha shpenzimet operative, janë rritur në përmasa të mëdha. Ndikimi i çmimit të naftës ka ndikim të dukshëm dhe mbijetese në sektorin e transportit. Kjo situatë ka rritur kostot. Projekvendimi i Këshillit të Ministrave parashikon komensimin e këtyre kompanive me 50 lekë për litër nafte. Dhënia e pëlqimit për këtë nismë është e rëndësishme për të siguruar që shërbimet e transportit publik të mbështeten dhe të mos ndikohen negativisht nga faktorë të jashtëm ekonomikë”, tha mes të tjerash Ristani.
