Investimi
Një qendër e re shëndetësore, ku do të shërbejë një personel prej 25 mjekësh mami dhe infermierë, i është shtuar Komunës së Fanit në Mirditë. Qendra e re pritet të ofrojë shërbime më të specializuara shëndetësore, të mbulojë urgjencat e kësaj zone dhe të jetë një mbështetje më tepër në infrastrukturën shëndetësore për 17 fshatrat e Komunës së Fanit, me një popullsi rreth 6000 banorë.
Godina e re është përuruar dje nga ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, në prani të autoriteteve më të larta vendore dhe përfaqësuesve të Kuvendit. Qendra shëndetësore e Komunës së Fanit, me sipërfaqe rreth 250 metra katrorë, është një financim i miqve austriakë të kësaj krahine Edith Valter Herz dhe Humbert Rhomberg. “Jam i nderuar që marr pjesë në çeljen e kësaj qendre të re shëndetësore, që pritet t’i vijë në ndihmë banorëve të kësaj zone, qoftë në rastin e urgjencave apo dhe kujdesin ndaj nënës dhe fëmijës me konsultorin e saj. Ky investim, dhuratë e miqve austriakë, i shtohet zinxhirit të investimeve të kryera në drejtim të kujdesit parësor. Investime që do të njohin të njëjtin ritëm dhe në vitin e ardhshëm”, tha ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo.
Duke u njohur dhe me kërkesat e mjekëve të kësaj komune, shumë shpejt qendra e re shëndetësore pritet të pasurohet me aparatura të reja mjekësore, që do të çojnë drejt përmirësimit të diagnozës mjekësore në kohë, duke ndikuar direkt në rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor të kësaj popullate.