Pak javë më parë, u ngrit alarmi në vend për ekzistencën e një skeme me firmat piramidale që po tentonte të mashtronte qytetarët.

Në media është publikuar dëshmia ekskluzive të një 30-vjeçari të mashtruar për të investuar në këtë mashtrim online. Në këtë dëshmi të dhënë për Report Tv, 30-vjeçari ka treguar se ai u përfshi në këtë skemë më datë 16 gusht, pasi ia sugjeroi një shok.

Ai thotë se vetë investoi 2 mijë euro. Bashkë me të u futën në investim edhe 5 të afërm të tij, që në total vlera e tyre e investimit në platformat online shkojnë në 8 mijë euro.

“Jam përfshirë në datë 16 gusht. Ma sugjeroi një shok që kishte dëgjuar në shoqëritë e veta që kishin investuar dhe kishin bërë tërheqje. Unë nuk kam parë që dikush të ketë bërë tërheqje. Kam investuar 2000 euro. Përveç meje janë dhe 5 persona të tjerë që kanë investuar në këtë platformë, janë njerëzit e mi të afërt. Shuma totale është 8 mijë euro. Deri në 24 gusht askush nuk ka tërhequr. Duhet të mbushje 1 muaj që të të kthehej me 5%. Në momentin që bën aplikimet të sakta, komunikimi ishte me anë të Telegramit. Ishin 13 mijë pjesëtarë. Nëse nuk investon nuk hyn dot te ai grupi. Dërgon të dhënat e tua dhe gjendjen e llogarisë, pastaj bëhej verifikimi dhe të kalonte te grupi 169”- tregoi ai.

Komunikimet bëheshin në aplikacionin Telegram, që siç tregon 30-vjeçari, të integronin vetëm pasi të kishe treguar provat e investimit të parave në platformat online që rezultuan skema piramidale. Vlera fillestare e investimit ishte 850 euro.

“Kevini ishte kryesori, dërgonte sinjal që ti të kapje e të rrisje vlerën e lekut. Kishte 8 sinjale në ditë, kur duhet të bëje investim. Vlera ishte me anë të përqindjes që mund të kapje. Vlera e investimit fillonte 850 euro e lart. Sa më shumë të investojë aq më shumë përfitoje”– shton si.

I mashtruari tregon se në portofolin e tij dixhital ka aktualisht 5600 euro, por është i bindur se nuk mund t’i tërheqë dhe se ka rënë pre e mashtrimit.

“Për momentin kam 5600 euro në portofolin dixhital. E kuptuam që ishte skemë mashtrimi por ishte tepër vonë”– tha 30-vjeçari.

Vetë ra pre e kësaj skeme piramidale online, por ka një apel për qytetarët e tjerë.

“Një mesazh kisha për të gjithë, askush mos të investojë në këto skema piramidale që thjesht vjedhin popullin dhe kursimet e tyre”– tha ai.

Investimit në firmat piramidale online, në platforma të tilla si XUEX dhe TXEX, shpërtheu në muajin gusht. Qytetarët e mashtruar janë kryesisht nga Lushnja dhe Divjaka. I pari që ngriti alarmin e këtyre skemave mashtruese online ishte deputeti socialist Erion Braçe, i cili vazhdon të denoncojë periodikisht.

Edhe Policia e Shtetit bëri apel për qytetarët pak kohë më parë që të mos investojnë në këto platforma pasi janë mashtrime. Qytetarët, të cilët kanë investuar para, deri më tani nuk kanë bërë dot asnjë tërheqje parash pasi e kanë të bllokuar sistemin e nxjerrjes së parave. Ndërkohë, asnjë arrestim nuk ka deri më tani.