Komuniteti shqiptar në Britani, me anë të kryetarit të shoqatës “Nënë Tereza” Esat Braçe, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e Vitit të Ri.
“Urim me rastin e Vitit të Ri 2017
Të dashur vëllezër e motra, të dashur bashkatdhetarë kudo ndodheni anë e mbanë botës, më lejoni që në emrin e komunitetit shqiptar në Britani si dhe në emrin tim personal tu uroj nga zemra Gëzuar Vitin e Ri 2017. Uroj të gjithë shqiptarët që sot festojnë në gjirin e familjes së tyre, kësaj qelize të shenjtë të shoqërisë sonë, e cila është motiv krenarie, besimi e shprese. Paçi gjithmonë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet në jetën tuaj Këtë natë të gëzuar shumë shqiptarë, të afërmit tanë, miqtë e shokët, të njohurit, e festojnë në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë dhe punojnë me dinjitet e sakrifica prej vitesh, duke kontribuar në imazhin dhe progresin e Shqipërisë.
Të dashur bashkatdhetarë viti që lamë pas ishte një vit i madh dhe i bekuar, në të cilin ne së bashku realizuam ëndrra dhe projekte të mëdha dhe kjo na mbush me besim, krenari dhe shpresë dhe siguri, se viti që vjen do të jetë një vit i bardhë edhe më i madh në realizimin e projekteve tona madhore. Të gjithë së bashku duhet të zgjojmë energjitë tona më të mira, për një Vit të Ri të mbarë e të suksesshëm. Ne kemi talent, forcë, kurajo, vullnet për të ndërtuar një shoqëri të begatë e demokratike për vete e për fëmijët tanë. Më lejoni që një urim të veçante ta dërgoj për gjithë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Britani të Madhe, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në mbështetje të Shoqatës Nënë Tereza”, uron Esat Brace, kryetar I Shoqatës “Nënë Tereza”.
1 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)